Aktori amerikan Alec Baldwin ka folur për herë të parë publikisht që prej ngjarjes së rëndë, ku ai vrau aksidentalisht gjatë xhirimeve kineasten Halyna Hutchins.
a
Duke folur për gazetarët aktori tha se në të ardhmen do të jetë në favor të kufizimit të përdorimit të armëve të zjarrit në prodhimet filmike për të mbrojtur sigurinë e njerëzve.
Po ashtu Baldwin u shpreh se policia e kishte urdhëruar që të mos komentonte mbi procesin hetimor. Prokurorët thonë se nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale për rastin.
42-vjeçarja Hutchins u qëllua në xhirimet e filmit western “Rust” në shtetin amerikan të New Mexico-s, kur Baldwin shkrepi një armë pa e ditur që ishte e mbushur. Regjisori i filmit, Joel Souza, po ashtu mori një plagë në shpatull gjatë ngjarjes së rëndë.
“Ajo ishte shoqja ime. Ditën që mbërrita në Santa Fe dhe nisëm xhirimet, e mora në darkë me Joelin,” u tha Baldwin fotografëve që e kishin ndjekur atë dhe familjen e tij në shtetin e Vermontit.
“Ne ishim një ekip shumë i mirë dhe më pas ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme”, tha ai. Alec Baldwin theksoi se ishte një prej atyre incidenteve “një në një trilion”, duke shtuar se aksidente të kësaj natyre ndodhin shumë rrallë.
“Një përpjekje e vazhdueshme për të kufizuar përdorimin e armëve të zjarrit në grupe xhirimi filmash është diçka për të cilën jam jashtëzakonisht i interesuar”, shtoi ai.


