Gjykata e Lezhës ka dënuar me 30-vite burg Albert Kacën, i cili përplasi për vdekje me makinë ish-kunatin e tij në IshullLezhë, ngjare e ndodhur në vitin 2019-të. 32-vjeçari u gjet fajtor për veprën “Vrasje e kryer brenda rrethit familjar”.
Vendimi u dha në mungesë nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Artan Hajredinaj, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar dënimin e të pandehurit me 35-vite burg.
REAGIMI I BABAIT
Babai i viktimës Preng Mena paralajmëroi ankimin të vendimit në Gjykatën e Apelit në Shkodër, duke akuzuar Policinë dhe Prokurorinë se nuk kanë hetuar siç duhet, duke fshehur provat. Ai kërcënon me vetëgjyqësi nëse nuk do ndëshkohen dhe tre personat e tjerë që sipas tij janë bashkëpunëtorë në vrasjen e djalit të tij Ylli Mena.
“Dje, nga ora 1 e gjysmë, Gjykata vendosi masën 30 vite burg nga 35 që kishte kërkuar prokurori. Nuk jam i kënaqur, pavarësisht se kam respekt për gjykatësit dhe mund të them me plotë bindje se janë më të mirët në Shqipëri. Pavarësisht pabesisë që më ka bërë Albert Kaca, i cili ende vazhdon rrugën e tij i lirë, do e ndjek së bashku me avokatin tim deri në Gjykatën e lartë. Kërkojmë burgim të përjetshëm. Të gjitha poshtërsitë që më kanë bërë, unë do hakmerrem deri në ditën e fundit, me shtet sigurisht. I bëj thirrje Prokurorisë, të thërrasë Policinë, Gjergj Gjikola, i cili jam i sigurt që ka fshehur provat. Nëse nuk do dënohen dhe ato 3 persona, të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen e djalit tim, do ta ndjek në mënyrë private, sepse nuk ka rrugë tjetër”, tha babai i viktimës.
Ngjarja e rëndë ndodhi me 21-shtator të vitit 2019 në Ishull-Lezhë, teksa 32- vjeçari Ylli Mena po lëvizte me biçikletë u përplas nga një automjet dhe gjeti vdekjen disa orë më vonë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi nuk mundi t’ju mbijetojë plagëve të marra. Fillimisht u dyshua për aksident, por pas veprimeve hetimore rezulton se ngjarje ishte e qëllimshme dhe Policia shpalli në kërkim 32-vjeçarin Albert Kaca. Autori dhe viktima kishin pasur konflikte më njëri-tjetrin që pas divorcit të Ylli Menës me motrën e 32-vjeçarit Kaca, i cili prej tre vitesh vijon të jetë në arrati pasi nuk është arritur të prangoset nga Policia. e.h


