Një shtetas algjerian është dënuar me 18 vite burg për vrasjen me dashje të shqiptarit Klajdi Bitri, 23 vjeç, i goditur në gjoks me shtizë nga një hark peshkimi nënujor. Gjykata e Ankonës dënoi 28-vjeçarin Fatah Melloul për vrasjen e rëndë që daton në 27 gusht 2023, në Sirolo.
Prokurori kishte kërkuar 24 vite burg, por togat e zeza e dënuan me 18 vite qëndrim pas hekurave 28-vjeçarin Fatah Melloul, i akuzuar për vrasje të rëndë me dashje ndërsa do duhet që t’i paguajë edhe një shumë prej 40 mijë eurosh prindërve të viktimës.
Sherri nisi për bllokimin e trafikut pranë një rrethrrotullimi, sipas mediave italiane, ku të përfshirë ishin edhe miq e të afërm të viktimës (në dy makina të ndryshme ndodheshin punëdhënësi i 23-vjeçarit, gruaja, vëllai i tij).
Pas debatit, 28-vjeçari është kthyer në makinë e tij për të marrë shtizën e peshkimit dhe goditi Klajdi Britrin në gjoks, ndërsa i riu shqiptar ndërroi jetë pak minuta më vonë. Algjeriani u largua nga vendngjarja me makinë, por u arrestua në Falconara disa orë pas krimit, duke u kthyer nga peshkimi. I akuzuari gjithmonë ka pretenduar se nuk e kishte kuptuar që e kishte vrarë Klajdin.


