Shenja të dukshme plumbash e xhama të thyer në banesën tre katëshe të familjes Bengaj. Gjurmët e krimit monstruoz të 5 ditëve më parë janë ende të freskëta, ashtu si dhe kujtimi dhe tronditja e asaj nate të rëndë që i mori jetën Sabrinës 23-vjeçare, duke lënë një vajzë pa nënë dhe me një baba tashmë pas hekurave.
Gazetarja Dorjana Bezat ka sjellë detaje të tjera të rënda në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 për natën e së premtes kur ndodhi vrasja.
Siç tha ajo, autori Elton Metaj ka hyrë brenda shtëpisë tre katëshe, dera e së cilës është në rrugën kryesore që lidh Fierin me fshatin Zhupan.
“Përballë shtëpisë ndodhet një arë me misër dhe dyshohet se autori ka qëndruar i fshehur aty për disa orë dhe kur janë larguar xhaxhai, vëllai dhe të gjithë burrat ka hyrë nga dera kryesore, e cila ka qenë e hapur pasi kishte 30 minuta që ishte larguar i vëllai i Sabrinës.
Në korridor të banesës ka dalë kunata shtatzënë e ka kërcënuar dhe atë. Më pas ka dalë nëna e Sabrinës që i ka kërkuar të largohet. Ai ka vazhduar të kërkojë Sabrinën dhe kur 23-vjeçarja ka nisur të dalë e ka qëlluar menjëherë. Trupi i saj është rrokullisur nga shkallët. Shenjat e plumbave janë dhe në katin e e dytë dhe të tretë të banesës. Vajza e vogël po flinte në katin e dytë me gjyshen”, tha Bezat, raporton “BalkanWeb”.
Detajet e ngjarjes flasin për një krim me paramendim nga ana e 31-vjeçarit Elton Metaj, i cili ishte divorcuar prej një viti me Sabrina Bengaj, por nuk e pranonte këtë ndarje.
“E kishte mbështjellë armën me peshqir të madh për të amortizuar zhurmën. Ka dalë nga banesa ku kishte lënë mjetin e tij të ndezur. 10-15 metër më tej ka hedhur peshqirin dhe është larguar”, tregoi Bezat.