Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Bllok, ku viktimë mbeti Fabian Gazhaj.
Mbrëmjen e sotme në emision “Open” të Eni Vasilit, avokati i Ervis Martinajt konfirmoi se në xhepin e xhupit të viktimës u gjetën dy medikamente, me të cilat ai mjekohet pasi vuante nga një lloj kanceri, ndërsa në QSUT mjekohej prej disa kohësh, madje i ishte përcaktuar edhe data për një operacion.
“Faktin që është i diagnostikuar me kancer dhe ishte në terapi e kam mësuar gjatë hetimeve, nuk ka njohje të mëparshme me të”, tha avokati.
Në studio u pohua edhe fakti se mjekët i kishin thënë se Gaxhaj kishte pak muaj jetë, pasi sëmundja ishte e pashërueshme.
Ndërkohë janë transmetuar edhe pamje nga ambienti ku ndodhi vrasja, një ambient ku shiteshin parfume të markave të famshme dhe shumë të shtrenjta, e në këtë hapësirë kishte dhe një ambient minibari ku u shërbehej ndonjë pije klientëve.


