Zbardhjet ngjarja e mbrëmshme në Tropojë ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 69-vjeçar në fshatin Doberdol.
Policia bën të ditur se Tahir Bajraktari, banues në Tiranë, është vrarë nga N.L, 54-vjeç. Viktima kishte udhëtuar nga Tirana në drejtim të Tropojës. Ai është qëlluar për vdekje në banesën e N.L nga vetë 54-vjeçari pas një sherri mes tyre. Nuk bëhen ende të ditura motivet e kësaj ngjarje.
Po punohet për kapjen e autorit të krimit.
Njoftimi i Policisë:
Tropojë.
Policia identifikon autorin e dyshuar të vrasjes së 69 vjeçarit në bjeshkën e Doberdolit Tropojë.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbasditen e datës 18.09.2018, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi T.B, 69 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, ngriti një grup të posaçëm hetimor. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale si dhe hetimeve intensive nga grupi hetimor, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasi N.L, 54 vjeç banues në Tiranë.
Shtetasi N.L dyshohet se më datë 18.09.2018, për motive të dobëta dyshohet se ka vrarë me armë zjarri në banesën e tij në bjeshkën e Doberdolit, Tropojë Fshat, shtetasin T.B., 69 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale të parashikuara nga nenet 76 e 278 të Kodit Penal.


