Policia e Fierit arrestoi sot (11 Shtator) edhe 2 persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në krimin e rëndë brenda fisit që ndodhi dje në Kurjan të Roskovecit, ku kushëriri vrau dy vëllezër pas sherrit që kishin nisur më herët fëmijët e tyre.
Të arrestuarit mësohet se janë të afërm të autorit të krimit, që u vetëdorëzua dje pas ngjarjes, dhe 2 kushërinj të tij.
Ata janë Altin Kukaj, 49 vjeç, E. Kukaj, 21 vjeç dhe E. Kukaj, 18 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij), të tre banues në Fier.
“Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit Lavdimir Kurtaj, 46 vjeç, dhe Gramoz Kurtaj, 52 vjeç, për motive të dobëta”, njoftoi policia vendore sot.
Gjithashtu ka nisur procedim në gjendje të lirë për shkak të moshës, për T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat (Berat), për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”.
“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për shtetasin Y. K., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan, babai i autorit të dyshuar, për veprat penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive”, sqaroi policia, teksa gjatë kontrollit iu gjetën edhe armë që mbaheshin pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë. Hetimet mbeten aktive dhe i vijon prokuroria vendore. Po hetohet nëse krimi ka motive të tjera.
Vrasja e dyfishtë në fshatin Kurjan – 10 shtator 2024
Viktimat dy vëllezër
Lavdimir Kurtaj 46 vjeç
Gramos Kurtaj 52 vjeç
Të arrestuarit:
Altin Kuka, 49 vjeç, autor i dyshuar
E. Kukaj, 21 vjeç, djali
E. Kukaj, 18 vjeç, djali