Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen në lagjen “Dardania” në Prishtinë. PK-ja ka gjetur armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, ndërsa ka bastisur edhe banesën e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur aty.
“Policia ka kryer një operacion bastisjeje në banesën e të dyshuarit por i njëjti nuk është gjetur aty. Ndërkohë që është bërë edhe gjurmimi dhe kërkimi për prova dhe evidenca të cilat ndërlidhen me rastin në një perimetër më të gjerë të hapësirës ku ka ndodhur ngjarja. Pak më tutje nga vendi i ngjarjes rreth 100- 150 metra nga aty, në një kosh plehrash, policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet të jetë arma e përdorur nga i dyshuari”, tha Policia e Kosovës
Pas gati dy oresh, është tërhequr nga vetura trupi i pajetë i personit të vrarë në lagjen Dardania. Në vendin e ngjarjes, sipas mediave kosovare, ndodhen ekipi i Forenzikes te cilet janë duke qëndruar tek vetura ku ka ndodhur vrasja.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për KOHËN se vrasja kishte ndodhur brenda një veture, ku i dyshuari ka qëlluar nga mbrapa personin i cili ka vdekur.


