Mario Majollari 28 –vjeç, banues në Kinostudio, në Tiranë, u ekzekutua me tre plumba para dy netesh pranë banesës së tij. Atij iu bë pritë nga një person i armatosur në një rrugicë të errët, teksa po i afrohej shtëpisë. Vetëm 12 orë pas ngjarjes, Policia e Shetetit konfirmon se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të krimit, Kastriot Gjuzi, 40-vjeç.
Vrasja për hakmjarre
Pista kryesore ku po heton policia është hakmarrja, pasi babai i Marjo Majollarit është dënuar përjetë për dy vrasje në vitin 2000. Avni Majollari është arrestuar në maj të vitit 2014, pasi ishte në kërkim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin datë 11.01.2001, e ka dënuar me “Burgim të përjetshëm”, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25 & 278/2 të Kodit Penal”. Sipas policisë, në vitin 2000 Avni Majollari ka vrarë me armë zjarri Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin në segmentin rrugor Tiranë – Dajt, ndërsa motivi dyshohet se ka qenë hakmarrja.
Gjatë momentit së arrestimit, Avni Majollari mbante në dorë një pistoletë tip “TT” ku dhe pas kontrollit të imtësishëm në banesës iu gjet një automatik kallashnikov; një pistoletë tip “Cervena Zastava” si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municionesh. Ndërkohë që për vrasjet është dënuar Endrit Majollari, që është djalit i xhaxhait të Marjos i dënuar me 10 vite burg .
“Në Shqipëri do më vrasin”
Mediat suedeze kanë pasqyruar vrasjen e 28-vjeçarit shqiptar, Mario Majollari dy ditë më parë në Tiranë, pranë banesës së tij nga Kastriot Gjuzi për hakmarrje. I riu shqiptar zuri vend në mediat suedeze për shkak se vetëm pak kohë më parë autoritetet e këtij vendi i kishin refuzuar atij kërkesën për azil.
“Në Shqipëri do më kapin dhe do më vrasin”, citon gazeta Svet Nyheter, Mario Majollarin kur ka dorëzuar kërkesën për azil. “Kishte thënë se nëse do ta kapnin do ta vrisnin”, ka thënë Anders Hedqvist, përgjegjës për menaxhimin e banesave për azil, ku 28-vjeçari shqiptar ishte dërguar gjatë procesit për azil.
“Ishte maji i vitit 2014, kur 28-vjeçari nga Shqipëria ka kërkuar një leje qëndrimi në Suedi. Ishte konsideruar se nuk kishte nevojë për mbrojtje, pavarësisht se kishte treguar për hakmarrjen ku familja ishte përfshirë dhe ishte kërcënuar që kur babai i tij ishte arrestuar. Në gusht të vitit 2015, ai refuzoi Këshillin e Migracionit.
Ai apeloi dhe mori një refuzim tjetër nga ligji administrativ në Göteborg dy ditë para Krishtlindjeve të të njëjtit vit. 28-vjeçari kërkoi një gjykim në Gjykatën Supreme të Migracionit por nuk e mori atë dhe u kthye në Shqipëri në pranverën e vitit 2016”, shkruan media suedeze.
“Ai u njoftua kur mori refuzimin për azil. Ai tha se nuk mund të qëndronte në Shqipëri, ai duhet të gjente një vend tjetër për të jetuar”, thotë Anders Hedqvist.
Çfarë thanë familjarët e autorit:
Për vrasjen e Mario Majollarit, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje familjarët e Kastriot Gjuzit, autorit të dyshuar të atentatit. Në Polici familjarët e Gjuzit kanë thënë se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë Kastriotin të fliste për hakmarrjen ndaj familjes Majollari.
Familjarët janë shprehur se e kanë takuar Kastriot Gjuzin mesditën e së martës dhe në mbrëmje ai nuk ka shkuar në shtëpi. Gjithashtu të afërmit kanë thënë në Polici se Kastrioti e ka telefonin e fikur dhe nuk ka kontaktuar me asnjërin prej tyre, por theksojnë se 40-vjeçari nuk ka lidhje me vrasjen e Mario Majollarit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Kastriot Gjuzi është larguar me këmbë pasi vrau 28-vjeçarin dhe më pas ka marrë një makinë ngjyrë gri dhe ka ikur në drejtim të Tufinës. Në banesën e tij në Tufinë Policia ka gjetur një makinë e cila kishte pak minuta që ishte fikur, pasi ishte ende e nxehtë, por nuk dihet nëse është përdorur në vrasjen Mario Majollarit.



