Florenc Doka është drejtori i ri i burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin. Sipas burimeve për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, mësohet se emërimi i Dokës është firmosur nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Emërimi i tij vjen pas arrestimit të ish-drejtorit të burgut dhe zyrtarëve të tjerë pas vrasjes së Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj. Florenc Doka më herët ka qenë pjesë e sistemeve të burgjeve. Doka është prezantuar nga drejtori Admir Abrija.
Në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com që prokuroria e Elbasanit ka dërguar për vlerësimin e masës së sigurisë të Sokol Mjacajt, i cili vrau në burg Arben Lleshin dhe plagosi shokun tjetër të qelisë Ilir Shaqjan është edhe dëshmia e Kamber Hoxhës, drejtorit të policisë së burgut të Peqinit, – ditën kur ndodhi ekzekutimi.
Kamber Hoxha kishte vëtëm 1 muaj që ishte komanduar në atë pozicion, ndërsa ishte me një karrierë 28 vjeçare si i punësuar në sistemin e burgjeve.
Nga dëshmia e tij mësohet si Sokol Mjacaj u zhvendos nga 41 – Biz në godinën B.
“Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes mu tha që Sokoli i kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në shëshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajërimit. Aty nga dritarja pasi i foli në emër të dëmtuarve i ka qëlluar me armë. Pastaj ndërhynë punonjësit e policisë dhe e çuan tek ambientet e takimit. Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, emrin e të cilit nuk e di. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri (lloz) nga brenda”- ka deklaruar Hoxha.


