Noel Dishi është autori i vrasjes së shokut të tij Vilson Tafçiu, mbrëmjen e 20 janarit në zonën e Astirit.
Bëhet me dije se autori njihej si Noel Dishi, mirëpo emri i tij i vërtetë është Miklovan Prifti. Ai është me origjinë nga Dibra dhe banues në Durrës. Autori njihej me 2 emra të tjerë, si Noel Dishi dhe Noel Kolaveri.
Dishi e ka pranuar vrasjen e shokut të tij mbrëmjen e djeshme pasi është vetëdorëzuar në polici. Sipas dëshmisë së tij viktima e ka sharë nga nëna, prandaj e ka qëlluar me armë. Pasi kreu krimin autori është larguar drejt Kavajës dhe ka qëndruar i fshehur në një hotel derisa është vetëdorëzuar.
“Unë lëvizja gjithmonë me armë me vete. Me Vilsonin ishim shokë prej vitesh. S’kam dashur e s’kam pasur qëllim ta vras. Të hënën shkova në Astir për të takuar Vilsonin. Unë gjithmonë lëvizja me armë me vete.
Kur e takova Vilsonin ai më shau nga nëna. U ndjeva shumë i ofenduar shkak për raportin që kishim. Unë e kam marrë në shtëpi sduhet të ma thoshte këtë gjë. U nervozova dhe e qëllova me armë. Pas krimit kam qëndruar me hotel në Kavajë”, ka deklaruar ai në polici.
Ngjarja ka ndodhur pasi autori e ka thirrur jashtë lokalit Tafçiun ku ky i fundit ndodhej i shoqëruar me dy vajza dhe pas konfliktit të çastit e qëlloi disa herë me plumba duke i marrë jetën.


