Një 41-vjeçar grek është marrë peng dhe është dhunuar në Kostur të Greqisë nga një shqiptar.
Sipas mediave helene, ngjarja ka ndodhur në një zonë e cila ndodhet afër kufirit me Shqipërinë, ku viktima ka hipur në mirëbesim në automjetin që drejtohej nga një 37-vjecar shqiptar. Por më pas, nën kërcënimin e një pistolete dhe duke përdorur dhunë, shqiptari e ka çuar atë në një zonë pyjore të Kosturit. 41-vjeçari grek, në rrethana të paqarta, ka arritur të lirohet dhe ka denoncuar rastin në polici. Policia ka arritur të identifikojë mjetin e rrëmbyesit, i cili rezulton të jetë marrë me qira.
Mjeti është pikasur në zonën e Kosturit, ku brenda tij kanë qenë një 29-vjeçar grek si pasagjer dhe si drejtuese një greke 25-vjeçare. Mësohet se ka qenë 29-vjeçari ai që ka marrë mjetin me qira dhe ja ka dhënë shqiptarit për të kryer pengmarrjen. Policia ka arrestuar çiftin grek dhe ka shpallur në kërkim shqiptarin.


