Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për Albano Kusin, i cili është vetëdorëzuar në polici gati katër muaj pas vrasjes së teknikut të kondicionerit, Indrit Çela.
Albano Kusi është i akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Më herët gjatë muajit nëntor ishte vetëdorëzuar në polici edhe vëllai tjetër, Griseldo Kusi, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Indrit Çelës në 22 gusht të 2019-ës.
26-vjeçari nga Mallakastra punonte si teknik kondicionerësh në Tiranë. Ai kishte shkuar te biznesi i Bujar Kusit, babait të dy vëllezërve Albano dhe Griseldo, për instalimin e rrjetit të kondicionimit. Por pas një konflikti banal për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit, Griseldo Kusi e qëlloi Çelajn me plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Së bashku me vëllain, Albanon dhe dy shokë, ata u munduan të fshehin dhe manipulojnë ngjarjen e rëndë.
Avokati Ilir Murati: Asnjë hetim nuk është kryer nga Policia Gjyqësore. Po arrestohet një familje, vetëm se është vëllai i Griseldos, Albano pse duhet të arrestohet. Ka prova që ai nuk ka qenë te “Muhamet Gjollesha” në vilën ku është kryer vrasja.
Albano ka shkuar më pas vetëm ka parë objektin, dhe këto element nuk përbëjnë vepër penale. Nuk ka asnjë element për të provuar se ka fshehur të vërtetën. Nuk mund të mbahet në burg, dhe ju duhet ta shihni ligjin qartë dhe të lironi nga masa “arrest me burg”. Vetëm në Shqipëri dënohen njerëzit kolektivisht.
Albano Kusi: Kam dëshmitare të dashurën që gjatë kohës së vrasjes unë kam qenë në zonën e Brrylit.