Vrasësi i 22-vjeçarit shqiptar Andrea Ndoja në mbrëmjen e së mërkurës, Giulio Sale, në të kaluarën ka tentuar të vrasë edhe një shqiptar tjetër, mik me viktimën.
45-vjeçari me origjinë sarde por rezident në provincën e Arezzos me shumë gjasa nuk do të dalë sot para gjykatësit për komunikimin e masës së arrestit, pasi është i shtruar në spital, për shkak se theu këmbën teksa largohej nga vendi i krimit.
Shoku i Andrea Ndojës deklaroi para karabinierëve, si edhe për Siena TV, se disa muaj më parë Sale ka tentuar ta vrasë me thikë. Ngjarja nuk është denoncuar në polici dhe nuk ka as raport mjekësor, çka e bën të pamundur verifikimin.
Megjithatë, e qartë është se prej kohësh ka pasur probleme midis Ndojës, shqiptarit tjetër dhe vrasësit të tij, çka vërtetohet edhe nga bisedat e shumta telefonike midis tyre gjatë ditëve të fundit.
Ndër hipotezat e shumta për vrasjen është edhe ajo që objektiv ka qenë pikërisht shoku i të riut të vrarë.
Pista nuk dihet, por dyshohet për larje hesapesh të lidhura me çështje financiare apo drogën.
Ndërkaq, policia ka zbardhur vrasjen e 22-vjeçarit që banonte në Rapolano Terme.
Ai ishte duke darkuar me dy miq, në Sinalunga, në një banesë në rrugën Umberto I, kur mbërriti Sale, i cili kishte bërë tetë kilometra në këmbë për të shkuar atje dhe i kërkoi të dilte jashtë.
Më pas, një debat dhe një e shtënë pistolete. Ndoja u godit në qafë, arriti të bënte disa hapa e të kthehej në shtëpi, ku pak minuta më pas dha shpirt.
45-vjeçari u largua me vrap dhe pas thuajse një kilometri ra në një kanal kullues. Një rënie nga rreth tre metra, që i solli thyerjen e këmbës dhe arrestimin, pasi pak orë më pas u gjet nga karabinierët.
Ata e çuan në spital, ku vetë vrasësi u tregoi se ku e kishte hedhur pistoletën me të cilën kreu krimin.


