Prokuroria e Tiranës ka konkretizuar akuzën për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj i cili vrau Klodjan Rashën në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor. “Vrasje me dashje” ka vendosur organi i akuzës për policin i cili rrezikon deri në 20 vite burg. Ndërkohë më parë akuza që rëndonte mbi Hajdarajn ishte ajo e “tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes” me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg.
Prokuroria ka siguruar dhe ka sekuestruar pamjet filmike të subjekteve përreth vendit të ngjarjes të cilat japin një tablo më të qartë të dinamikës së saj. Prokuroria bën me dije se efektivi, Nevaldo Hajdaraj ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë drejt Klodian Rashës, njësoj siç ka qenë dhe në dëshminë e efektivit
“Kemi siguruar provën kryesore, pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë.
Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes se Klodian Rashes, në gjatësinë e trupit të viktimës”, thekson Prokuroria.


