Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), Aleksandër Çipa e cilëson ekzekutimin e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç si vrasje politike. I ftuar në studion e Report Tv, Çipa tha se kjo ngjarje, e cila sipas analistëve klasifikohet si skenar rus, do sjellë pasoja dhe zhvillime të reja në rajon.
Sipas Çipës, Moska po shfrytëzon situatën politike të Kosovës, ku lidershipi i saj po ndeshet me refuzimin e SHBA-së dhe BE-së për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, për të trazuar rajonin e Ballkanit.
“Është një ngjarje shumë e rëndë, një ngjarje e cila ka prapavijë politike. Është një vrasje politike, por pasojat, implikimet, pasojat që mund të shkaktojë janë të paqarta. Përfaqësuesit më të lartë të rajonit dhe europës, janë pronocuar me ngut për këtë vrasje, tregon se do kemi zhvillime.
Ngjarja sipas analistëve ka një qasje të hapur nga Rusia, një indicie e një komplikacioni gjeo-politik në rajonin e Ballkanit. Pak ditë më parë DASH paralajmëroi lidhur me rrezikun e krimit në Kosovë. Gjithashtu, edhe brenda Kosovës kemi një situatë politike ku marrëdhënie e lidershipit politik të Kosovës, lidhur me Gjykatën Speciale për ekzistencën ose jo të saj, pra një rikthim pas – ka pasur refuzim nga DASH në përgjithësi por edhe nga Brukseli zyrtar, që është e panegociueshme, e praprekshme Gjykata Speciale”, u shpreh Çipa.
Duke komentuar deklaratat e Vuçiç se Serbia do hetojë ngjarjen në Veri të Kosovës, Çipa tha se ky qendrim është cenim i sovranitetit territorial të Kosovës pavarësisht se autoriteti i ligjit të Kosovës në Mitrovicën e Veriut është në pikëpyetje. Veriu i Kosovës, tha Çipa, dominohet nga kontigjent kriminal dhe komisiariati i policisë i dominuar nga serbët në përgjithësi nuk garanton rendin dhe sigurinë publike.
“Kjo rikthen sërish Kosovën në epiqendër të lëvizjeve e skenarëve politikë e diplomatikë, për mënyrën funksionale të territorit administrativ të saj. Vrasja ka ndodhur në një hapësirë administrative të Kosovës e cila është shumë e diskutueshme në Mitrovicën Veriore ku autoriteti i ligjit të shtetit të Kosovës mbetet i paimplementuar. Komisariati përbëhet përgjithësisht nga përfaqësues të komunitet serb, një pjesë e tyre kanë edhe përvojën e ish-oficerëve të policisë së ish-Jugosllavisë.
Katër muaj më parë Ivanoviç pat paralajmëruar mungesën e sigurisë në Veri. Pati thënë se serbët nuk frikësohen prej shqiptarëve, por prej elementit kriminal që qarkullon në këtë qytet, lëvizin njerëz me automjete pa targa dhe të armatosur“, tha Aleksandër Çipa në studion e Report Tv.