Arben Bilali është mbajtur në vëzhgim për 1 javë nga atentatorët përpara se të vritej dje në drekë me një breshëri automatiku. Gazeta Mapo ka mësuar të dhëna nga grupi hetimor, ku nga kamerat e sigurisë rezulton se një motor dhe një automjet tjetër qëndronin pranë shtëpisë së ish-policit.
Nga 15 personat e shoqëruar, Policia ka në dorë një dëshmi të vlefshme, të njërit prej miqve të Arben Bilalit. Ai u ka thënë hetuesve se disa ditë para ngjarjes ka qënë duke udhëtuar me Arben Bilalin dhe ka parë një makinë të zezë që po i ndiqte. Madje dëshmitari i ka thënë edhe ish-policit se dikush po i vëzhgonte dhe të dy kanë vendosur që të thërrasin disa miq të tjerë, por më pas makina e zezë ishte larguar. Dëshmitari madje i ka dhënë policise edhe targën e makinës.
Ndërkohë nga kamerat e sigurisë është identifikuar vetura që u përdor nga atentatorët, Benz me targë AA 757 RV. Kjo targë i përket një makine Fiat Punto në Vlorë, por që pronari ka bërë denoncim se ja kanë vjedhur në gusht të 2017-së.
Mes personave të pyetur janë edhe anëtarë të familjes Xhabafti, me të cilët familja Bilali ka patur konflikt që prej vitit 1997-të. Anëtarët e familjes Xhabafti kanë mohuar se kanë lidhje me ngjarjen.
Deri më tani hetuesit nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për të identifikuar autorët e kësaj ngjarje. Sipas të dhënave, Arben Bilali sapo kishte zbritur nga makina e një shoku, kur atentatorët janë afruar dhe kanë qëlluar më shumë se 15 herë drejt tij.


