Në Gjykatën e Tiranës ka nisur seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për katër të arrestuarit për vrasjen e të riut Indrit Çelaj.
Ata akuzohen për fshehje të krimit dhe bashkëpunim me autorët e vrasjes.
Në seancë janë të pranishëm të arrestuarit Bujar Kusi, i cili akuzohet për “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, Ferdinand Bakalli, edhe ky për “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë, Luan Caka dhe Ali Sula, për “Mos kallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”
Krimi i rëndë ndodhi tri ditë më parë, kur vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi, qëlluan me plumb në kokë 26 vjeçarin Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri në vilën e tyre që po ndërtohej. I riu gjeti vdekjen orë më vonë në spital pasi kishte rënë në koma.
Dy vëllezërit, me precedentë të mëparshëm penal aktualisht janë në arrati dhe policia po punon për arrestimin e tyre.
Seanca në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorisë për shkak të sekretit hetimor.