13 raketa kanë goditur bazat ajrore ‘al-Asad’ dhe ‘Irbil’ në Irak, në të cilat janë vendosur trupat amerikane. Mediat ndërkombëtare raportojnë se, sulmi ndaj bazave amerikane është kryer rreth orës 01:30 me orën lokale, nga një distancë prej 10 kilometrash.
Akti terrorist është marrë përsipër nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të cilat përmes një mesazhi në agjensinë shtetërore të lajmeve, IRNA, paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi.
“Paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të shënjestrohet”.
Sulmi mendohet të jetë një mënyrë “hakmarrje” pas vrasjes së gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani.
Lajmi për sulmin fillimisht u konfirmua nga një komandant sunit i forcave paraushtarake, Qatri al-Obeidi, në qytetin e afërt të al-Bagdadit, por edhe nga një zyrtar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes në SHBA.
“Një lloj sulmi ka ndodhur në bazat ajrore të trupave amerikane ‘al-Asad’ dhe ‘Irbil'”, është shprehur zyrtari amerikan.
Po ashtu, mëvonë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, përmes një deklarate zyrtare për mediat pohoi sulmin, ndërsa shprehet se Shtëpia e Bardhë po vijon monitorimet.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sulmet ndaj objekteve amerikane në Irak. Presidenti është informuar, po monitoron nga afër situatën si dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë”, tha ajo.
SHBA ka rreth 5000 trupa në Irak, ndërkaq ende nuk dihet nëse ka viktima nga sulmi.
Tensionet në rritje në Lindjen e Mesme kanë detyruar Mbretërinë e Bashkuar të vendos në gatishmëri Marinën Mbretërore dhe helikopterët ushtarakë. Vendimi u bë me dije nga Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace.



