Turqia nuk do të ngurrojë të kalojë në hetim ndërkombëtar për rastin e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi nëse përballet me ndonjë bllokim në hetimin aktual, tha ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Hetimi i vrasjes së Khashoggit është duke vazhduar. Do të shkojmë deri në fund. Nëse ka bllokim, nuk hezitojmë të kalojmë në një hetim ndërkombëtar”, u tha Çavuşoğlu gazetarëve në Përfaqësinë e Përshershme të Turqisë në NATO pas takimit të Ministrave të Jashtëm të aleancës veriatlantike në Bruksel.
Khashoggi, gazetar dhe kolumnist i gazetës The Washington Post, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Qeveria saudite ka ofruar sqarime të ndryshme nga njëra-tjetra në lidhje me vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës.
Kryediplomati turk po ashtu tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan e ka diskutuar rastin me bashkëbiseduesit e tij gjatë Samitit të G20-tës javën e kaluar në Argjentinë dhe shtoi se qëndrimi, transparenca dhe vendosmëria e Turqisë në lidhje me këtë ngjarje është vlerësuar pozitivhst nga të gjithë.
“Megjithatë, ne duhet të bëjmë gjithçka që nevojitet për të zbardhur këtë vrasje të planifikuar të kryer në territorin tonë”, shtoi ministri turk.
Çavuşoğlu po ashtu reagoi ndaj deklaratave të fundit të të dërguarit special amerikan për Sirinë, James Jeffrey, i cili ka quajtur bisedimet e Astanas rreth krizës në Siri si dështim.
“Është deklaratë mjaft e paqëlluar. Nuk mendoj se bëhet fjalë për një mendim personal të Jeffreyt”, tha Çavuşoğlu.
Jeffrey do të udhëtojë për në Turqi për një takim të lartë të Grupit të Punës për Sirinë dhe kjo çështje do të aktualizohet gjithashtu në këtë takim, tha shefi i diplomacisë turke.
Çavuşoğlu gjithashtu njoftoi presidenti amerikan, Donald Trump, ka hapur çështjen e avionëve F-35 gjatë një takimi me presidentin Erdoğan në samitin e G20-tës.
“Ne nuk duam ndonjë problem”, tha Çavuşoğlu.