Trupi i gazetarit saudit Jamal Khashoggi pasi është vrarë, është copëtuar në disa pjesë për t’u zhdukur më lehtë.
Ky informacion është raportuar ditën e sotme nga një burim pranë hetuesve turq.
Autoritetet turke kanë kontrolluar për 9 orë në ambientet e konsullatës arabe në Stamboll, aty ku edhe dyshohet se është ekzekutuar gazetari.
Aktualisht hetuesit po analizojnë mbetjet toksike dhe shenjat e gishtave të gjetura në konsullatë, ndërsa pritet të kontrollojnë edhe rezidencën e konsullit arab, pak metra larg konsullatës.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë qartë se disa makina kanë lëvizur nga ambientet e konsullatës drejt rezidencës së konsullit.
Gazetari arab Jamal Khashoggi jetonte në SHBA, pasi i rrezikohej jeta në Arabi, duke qenë se ishte një kritik i vazhdueshëm i politikave mbretërore
Ai ishte paraqitur më 2 tetor në konsullatën saudite të Stambollit, për të marrë një certifikatë martese, por nuk doli kurrë që andej.
Mediat amerikane raportuan dje se në Arabinë Saudite po përgatitet një raport, ku pritet të pranohet se Khashoggi është vrarë nga njerëz të papërgjegjshëm, ndaj të cilëve pritet të merren masa.
Po pasditen e djeshme, vetëm pak orë pasi autoritetet turke njoftuan se do të kontrollojnë edhe rezidencën e konsullit arab, ky i fundit u largua nga Stambolli për t’u rikthyer në Arabi.


