Policia holandeze ka nisur hetim për vrasje pas gjetjes së trupit të pajetë të Festim Latos në kanalin Amsterdam-Rhine.
Sipas policisë, 43- vjeçari është vrarë me armë zjarri, ndërsa jetonte në Holandë prej 25 vitesh. Lato ishte biznesmen, i cili më 24 prill kishte shpallur falimentin në gjykatë. Gjithashtu, ai ishte i aktivizuar edhe në politikë, ku ishte dhe president i vetëshpallur i Çamërisë.
Ndërkohë që hetuesit holandezë ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e tij, familja e Latos në qytetin e Vlorës ka hapur dyert e mortit. Në banesën e familjes, që ndodhet në lagjen “Lirimi” të qytetit bregdetar, hyjnë e dalin familjarë dhe të afërm për ngushëllim.
Xhemil Lato, vëllai i madh i 43-vjeçarit, thotë se ata janë duke pritur përfundimet e analizave të ADN-së për të konfirmuar lajmin për vdekjen. Ai thekson se tre fëmijët e Festimit nuk janë lejuar nga Policia holandeze që të hyjnë në morg për verifikimin e kufomës. Për këtë arsye, ende në portën e banesës 3-katëshe në Vlorë nuk ka lajmërim nekrologjie.
Festim Lato ishte shpallur i zhdukur prej disa ditësh nga familjarët e tij në Holandë. Mediat në këtë shtet e lidhin vrasjen e tij me shpalljen e falimentit, pasi kishte shumë borxhe. Lato merrej me tregtinë e naftës, ndërsa kohët e fundit ishte vendosur në një shtëpi në Afferden. Jashtë banesës së tij valëviteshin flamujt e Holandës, SHBA-ve dhe flamuri i Shqipërisë, me shkrimin ‘Çamëria’.
Një mik i 43- vjeçarit, duke folur për mediat lokale, ka treguar se kohët e fundit Festimi nuk kishte shprehur asnjë shqetësim dhe çdo gjë dukej mirë. Kohët e fundit, Lato mësohet se kishte probleme me biznesin e tij, sepse kishte borxhe në kompani dhe individë të ndryshëm në zonën ku ai jetonte në Holandë. Shuma e borxheve të tij dyshohet se arrin në miliona euro.
Nga dyshimet e para thuhet se Lato është telefonuar nga një person joshqiptar. Pasi kanë lënë vendtakimin, 43- vjeçari është qëlluar për vdekje. Lato e kishte shpallur veten dhe president të Çamërisë dhe prej vitesh luftonte për pavarësinë e territorit që sot është brenda kufirit të Greqisë.