Lulzim Qorri, 44 vjeç nga Fieri, është shqiptari që u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e së mërkurës në Athinë.
Mësohet se Qorri është arrestuar në Shqipëri në vitin 2016 si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Ballkan, ku në pranga ranë disa biznesmenë ndërtimi.
Si ndodhi vrasja në Greqi:
Viktima ishte duke pirë kafe në një lokal në rrugën “Kritis” shumë afër sheshit qëndror “Omonia”.
Pak para orës 23:00, dy persona ndalojnë me një motoçikletë përpara kafesë e cila është një vend ku mblidhen shqiptarët dhe në atë orë ishte plot, pasi klientët po ndiqnin një ndeshje futbolli.
Njëri nga ekzekutorët zbret poshtë dhe hap zjarr ndaj shqiptarit nga një distancë e afërt.
Sipas policisë janë dëgjuar 3 të shtëna, të treja e kanë kapur viktimën në kokë.
Më pas vrasësi i ka hipur motoçikletës dhe së bashku me bashkëpunëtorin e tij janë zhdukur nga vendgjarja.
Nga mënyra e organizimit, policia greke dyshon për një larje hesapesh mes vrasësve dhe viktimës.
Po mbrëmë disa orë më vonë rreth 2 e 30 në lagjen Moskato një tjetër ekzekutim mafiz do të trondiste Athinën. Viktima një 49 vjeçar grek, i cili është pritur nga vrasësit shumë afër shtëpisë.
I janë afruar nga prapa dhe e kanë qëlluar 5 herë me pistoletë në kokë. Policia gjeti në vendgjarje 5 gëzhoja 9 mm.
Viktima, prind i dy fëmijëve, punonte në një firmë si polic privat.
Edhe në këtë rast policia mendon se mund të ketë të bëjë me larje hesapesh.
Lidhja e Lulzim Qorrit me Jurgen Mollën:
Policia shqiptare udhëheq operacionin ndërkombëtar antidrogë “Ballkan” – Në Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Bullgari ku u arrestuan 30 persona dhe 23 u shpallën në kërkim.
Hetimet nisën në vitin 2015. Përgjatë 15 muajve, operacioni u krye në partneritet me organet lizgjzbatuese të vendeve të rajonit dhe në bashkepunim me DEA dhe SELEC.
Në datat 6 dhe 7 korrik, me angazhimin e strukturave kundër narkotikeve në policitë vendore Tiranë, Durrës, Fier dhe Kukës, janë ekzekutuar urdhërat e Prokurorisë për Krime të Rënda, të nxjerra në bazë të vendimeve të Gjykatës pranë Shkallës së Parë për Krime të Rënda për 7 shtetas:
1. Jurgen Molla, 38 vjeç, lindur në Lezhë e banues në Tiranë. Ai është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Njihet edhe me emrin Miri Molla.
2. Shyqyr Kotorri, 38 vjeç, lindur e banues në Kreshovë, Përmet, investitor në fushën e ndërtimeve;
3. Anesti Koromani, 35 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, investitor në fushën e ndërtimeve. Aktualisht i arrestuar;
4. Nuredin Nazëraj, 63 vjeç, i njohur si Dilo Nazëraj, pronar i një hoteli luksoz në Vlorë;
5. Lulzim Qorri, 42 vjeç, lindur e banues në Grabian të Lushnjës;
6. Denis Sinameta, i njohur si Roland LLeshi, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
7. Blerim Ukimeraj, 39 vjeç, lindur e banues në Kosovë.
Siç, shihet Jurgen Molla dhe Lulzim Qorri janë arrestuar në të njëjtin operacion në 2016.
/AlpeNews.al