Vijojnë hetimet në lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës dhe janë fokusuar tek grumbullimi i pamjeve filmike. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja ndërsa në trupin e viktimës nga kqyrja janë gjetur 11 plumba. Dyshohet se viktima është qëlluar nga një distancë në më pak se 5 metër.
Burimet theksojnë se i është kërkuar ndihmë kompanisë celulare për zbërthimin e listës se telefonatave te bëra 24 orët e fundit për te zbuluar shkakun pse Ndoka doli nga banesa dhe cilët ishin personat qe kishin kontaktuar me te para ngjarjes.
Tetë persona janë shoqëruar nga policia për vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit, Arben Ndoka. Në Lezhë po zhvillohet një analizë e hollësishme në lidhje me ngjarjen, e kryesuar nga Drejtori për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit Niko Brahimaj. Policia deklaron se është krehur e gjithë zona, për të bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera materiale, si dhe po administrohen të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vendosur nga objekte dhe biznese private.
“Policia po analizon dhe përpunon me kujdes të gjitha provat materiale të administruara në vendngjarje si dhe në ambiente të tjera që lidhen me të, nëpërmjet laboratorit shkencor dhe te gjitha potencialeve policore” thuhet në njoftim. Aleksandër Ndoka u ekzekutua mbrëmë në momentin që po hynte në banesë, ndërsa e gjithë zona ka qenë në errësirë, të cilën e kanë shfrytëzuar autorët që kanë qenë mbi dy për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Deklarata e policisë
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur, Policia e Lezhës, me mbështetjen e ekspertëve të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit po vijon intensivisht punën për zbardhjen e kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, është duke u zhvilluar një analizë e hollësishme në lidhje me ngjarjen, analizë e kryesuar nga Drejtori për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit Niko Brahimaj.
Një grup i posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë dhe me Prokurorinë e Rrethit është duke punuar për këtë qëllim.
Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë të mbështetura dhe nga shërbimet FLO Shkodër, është krehur e gjithë zona, për të bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera materiale, si dhe po administrohen të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vendosur nga objekte dhe biznese private.
Policia po analizon dhe përpunon me kujdes të gjitha provat materiale të administruara në vendngjarje si dhe në ambjente të tjera që lidhen me të, nëpërmjet laboratorit shkencor dhe te gjitha potencialeve policore.
Në vijim të veprimeve për zbulimin dhe dokumentimin e autorëve, deri tani janë shoqëruar 8 shtetas në D.V.P.Lezhë.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Rrethit Gjyqësorë Lezhë, për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/278 të Kodit Penal “Vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje e armeve të zjarrit dhe municioneve luftarake”.


