Hetimet për vrasjen e aktivistit të njohur të djathtë dhe mbështetësit të Donald Trump, Charlie Kirk, po përparojnë me ritme të shpejta. Sipas deklaratës së fundit të zëdhënësit të FBI-së, autoritetet kanë në dispozicion një video të qartë të autorit dhe janë në dijeni të rrugës që ai ka ndjekur për të mbërritur në vendngjarje dhe për t’u larguar pas atentatit.
Zyrtari i lartë i Sigurisë Publike në shtetin e Utah, Bo Mason, ka deklaruar për mediat se i dyshuari është një mashkull dhe “është integruar mirë” në kampusin universitar, çka e ka bërë më të vështirë identifikimin e menjëhershëm të tij.
Agjenti special përgjegjës i FBI-së në Salt Lake City, Robert Bowles, tha gjithashtu se përveç armës së dyshuar, hetuesit kanë mbledhur edhe gjurmë këpucësh, një gjurmë pëllëmbe dhe gjurmë nga pjesa e poshtme e krahut të autorit, të cilat janë dërguar për ekspertizë.
“Të gjitha informacionet që kemi marrë po hetohen në mënyrë të thelluar,” u shpreh Bowles. “Deri në mëngjesin e sotëm, kemi marrë mbi 130 raportime nga qytetarët.”
FBI ka nisur një operacion të gjerë kërkimi për të identifikuar dhe kapur autorin e vrasjes, ndërkohë që ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik amerikan.


