Familja Reçi në Mirditë është distancuar nga ngjarja e mbrëmjes së sotme në qytetin e Rrëshenit, ku mbeti i vrarë 51-vjeçari, Anton Keli.
Në një reagim për News24, avokati Aleksandër Ndrejaj në emër të familjes Reçi deklaron se nuk ka asnjë lidhje me krimin e ndodhur sot.
Familja mohon kategorikisht implikimin me vrasjen e 51-vjeçarit dhe thotë se vrasjen e djalit të tyre Kastriotit ia kanë lënë në dorë prokurorisë dhe policisë.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot pasdite në Rrëshen, deklarojmë se familja Reçi nuk ka asnjë lidhje apo implikim me këtë ngjarje. Në lidhje me fatkeqësitë tona familjare për ngjarjet që kanë ndodhur ne ia kemi lënë në dorë Prokurorisë dhe policisë për të gjetur autoret për vrasjen e Kastriotit. Me këto veprime në media që po aludohen po fusin në konflikte të paqena familjen Reçi”, thuhet në mesazhin e Ndrejajt, përfaqësues i familjes Reçi në Rrëshen.
Dyshimet e para të vrasjes së Anton Kelit, 51-vjeçarit nga fshati Malaj në Mirditë dërguan policinë drejt familjes Reçi, kjo për shkak se në zonë është i njohur konflikti mes fisit Gjinaj, kushërinj të viktimës së sotme dhe familjes Reçi.


