Një vit ka kaluar nga vrasja e Ermal Kamberajt, në vendin e tij të punës në Mitrovicë. E pikërisht në këtë ditë, Shpëtim Kamberaj u kthye në vendin ku humbi vëllanë e vogël, për të shprehur zhgënjimin e tij me institucionet e rendit dhe drejtësisë, për mos-zbardhjen e rastit, raporton KTV.
Kjo, pasi, për vrasjen e 24-vjeçarit, ende nuk është arrestuar askush.
Sipas Shpëtim Kamberajt, mungesa e interesimit nga policia dhe prokuroria, përkundër se dorasi me inicialet A.B. është i njohur për ta, ngjall dyshimet se ky rast nuk po zgjidhet qëllimisht.
Dyshimet për atë që çuan “tentim për heshtjen e rastit”, thotë se ia shton edhe tentimi për ndryshimin e së vërtetës.
Kamberaj thotë se po aq shqetësuese sa mos-kontrollimi për armë i dorasit nga sigurimi i lokalit, është ikja e tij para syve të policisë – në zonën e sigurisë së lartë afër urës kryesore mbi lumin Ibër.
Nga këtu, ai u ka kërkuar nga polica që ta kapin vrasësin dhe ta vënë para drejtësisë.
Në një përgjigje të shkurtër përmes telefonit, Prokurori i rastit Njazi Rexha, ka thënë se nuk ka asgjë të re për këtë rast.
Ndërsa, përkundër përpjekjeve – gjatë së shtunës, televizioni nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje nga policia.


