Zbardhet dosja e plotë e ngjarjes në zonën e Laprakës, ku mbeti e vrarë adoleshentja Griselda Gjikoladhe u plagos shtetasi Erjon Benga. Referuar hetimeve, Benga nuk ishte i dashuri i së ndjerës, por miku i të fejuarit të saj.
Ndërsa shkak për atentatin ishte një sherr i 10 ditëve më parë, ku Benga e ka qëlluar Robert Përpepajn me grusht dhe i ka kërkuar që mos ta ngacmojë më Griseldën.
DOSJA E PLOTE E PROKURORISE PER VRASJEN E GRISELDA GJIKOLAJT
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 29.12.2018 ka sjellë para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për vlerësim arresti në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest me burg” për personin nën hetim Ronald Muzhaqi, i cili dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, në bashkëpunim. Në Prokurorinë e Tiranës, më datë 27.12.2018 është regjistruar procedim penal në ngarkim të shtetasve nën hetim Ronald Muzhaqi dhe Robert Përpepaj, të cilat dyshohen të jenë autorë të veprave penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave”, në bashkëpunim, “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 26.12.2018, rreth orës 18:20, shërbimet e Policisë të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin nr.3, Tiranë, kanë marrë njoftim se në vendin e quajtur pallatet “Gintash”, në zonën e Laprakës, ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, ku për pasojë kishte vdekur një person dhe ishte plagosur një person tjetër. Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë Gjyqësore në Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë shkuar në vendin e ngjarjes, i cili ndodhej në vendin e quajtur pallatet “Fintash”, në zonën e quajtur Laprakë të qytetit të Tiranës, në një rrugicë të brendshme, midis pallatit “F”, pallatit “E” dhe objektit ku ndodhej furra e bukës me emrin “K…”.
PROVAT NE VENDIN E NGJARJES
Nga materiali kallëzues, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se janë konstatuar dhe më pas sekuestruar 5 gëzhoja arme zjarri, me karakteristikat e përshkruara në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, me distancat përkatëse, nga të cilat një prej tyre me markerim 11×65, me kapsollë të goditur dhe 4 të tjera me markerim G, F, L, 7.62×25, TOKAREV, me kapsolla të goditura. Gëzhojat e mësipërme i janë nënshtruar ekspertimit tekniko-balistik dhe krahasues, me qëllim përcaktimin e llojit, kalibrit, modelit, llojit të armës nga janë qitur, si dhe krahasimi me gëzhojat e ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Tiranës. Nga materiali krahasues ka rezultuar se gëzhojat e mësipërme i janë nënshtruar ekspertimit biologjik ADN-je për të përcaktuar nëse ato përmbajnë profil gjenetik të vlefshëm për krahasim. Në vendin e ngjarjes janë konstatuar dhe më pas sekuestruar 5 gëzhoja arme zjarri. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në rrugë operative është marrë informacion se autori i dyshuar i ngjarjes gjatë largimit kishte pasur kontakt fizik me pjesën e përparme, pranë stemës, të automjetit të lloji auto veturë, të tipit “BMVV”, ngjyrë të zezë që ishte e parkuar pranë vendit të ngjarjes. Është bërë këqyrja e jashtme e mjetit e mjetit të sipër përshkruar, si dhe tamponimi i pjesës së përparme të kafanos pranë stemës, në pjesën ku dyshohet se kishte pasur kontaktin fizik autori i dyshuar i ngjarjes, me anë të dy tamponeve steril. Dy tamponte e mësipërm, janë sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe i janë nënshtruar ekspertimit biologjik ADN-je për të përcaktuar nëse ato përmbanin profil gjenetik të vlefshëm për krahasim. Shërbimet e policisë së patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 3, pas marrjes së njoftimit dhe shkuarjes në vendin e ngjarjes, kanë marrë dijeni se në Spitalin e Traumës, kishte shkuar automjeti i llojit auto veturë i markës “Mercedes Benz”, ngjyrë e zezë, e cila kishte transportuar dy persona të plagosur, si dhe dy persona të tjerë të cilët nuk kishin dëmtime. Pas marrjes së njoftimit të sipërcituar, shërbimet e policisë kanë shkuar në Spitalin e Traumës, ku kanë konstatuar se njëri nga personat e plagosur, pikërisht e ndjera Griselda Gjikolaj, kishte ndërruar jetë në ambientet e këtij Spitali, ndërsa personi tjetër i plagosur ishte shtetasi Erjon Benga.
VEPRIMET NE SPITALIN E TRAUMES
Në Spitalin e Traumës janë identifikuar edhe dy personat e tjerë, pasagjerë të mjetit, shtetasit Saimir.H dhe Romina L.. Në trupin e shtetasit Erjon Benga, gjatë mjekimit është nxjerrë dhe sekuestruar një predhë e deformuar, e cila i është nënshtruar ekspertimit teknik dhe balistik me qëllim përcaktimin e modelit, llojit, kalibrit, si dhe të përcaktimit të vlerave për krahasim. Në Spitalin e Traumës, janë gjetur dhe më pas sekuestruar, dy aparate të telefonisë celulare, të cilat i janë nënshtruar ekspertimeve kompjuterike për nxjerrjen e të dhënave me interes të hetimit, si dhe rrobat që mbante të veshur shtetasi Erjon Benga në momentin e ngjarjes, materialet të cilat i janë nënshtruar ekspertimeve teknike dhe kimike për të përcaktuar dëmitimet, kategorizimet e dëmtimeve, mjetin e përdorur për realizimin e dëmtimeve si dhe drejtimin e qitjes. Janë marrë dhe sekuestruar dy lastra me faktorë plotësues nga duart e shtetasit Ejon Benga, të cilat i janë nënshtruar ekspertimit teknik për përcaktimin e faktit nëse në duart e shtetasit Erjon Benga kishte prani të faktorëve plotësues. Është përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor për shtetasin Erjon Benga për të përcaktuar dëmtimet, kategorinë e dëmtimeve, mjetin e përdorur për realizmin e dëmtimeve, si dhe drejtimin e qitjes në rast të përdorimit të armës së zjarrit. Është realizuar këqyrja e kufomës së të ndjerës Griselda Gjikolaj, e ditëlindjes 17.10.2000. Nga veprimi hetimor ka rezultuar se në anën e djathtë të kokës janë konstatuar dy plagë në anën e pasme të veshit, në një largësi prej 5 centimetra larg njëra-tjetrës. Nga këqyrja e kufomës, në kokën e të ndjerës janë gjetur dhe më pas sekuestruar dy predha, të cilat i janë nënshtruar ekzaminimit teknik balistik për të përcaktuar llojin, kalibrin dhe modelin, të cilat kanë vlerë krahasuese për të përcaktuar llojin e armës së përdorur. Vendimi për këqyrjen e ekspertimit mjeko-ligjor për të ndjerën, për të përcaktuar plagët, mjetin me të cilin është shkaktuar, shkakun e vdekjes, si dhe drejtimin e qitjes. Është realizuar këqyrja e e mjetit “Mercedes benz”, ku është konstatuar se xhami në të majtë është thyer plotësisht. Nga këqyrja e brendshme e mjetit janë evidentuar gjurmë gjaku. Nga këqyrja ka rezultuar se në mjetin e sipërcituar janë gjetur dhe më pas sekuestruar 4 gjurmë gishtash dhe pëllëmbë dore, të cilat i janë nënshtruar ekspertimit daktiloskopik për të përcaktuar nëse kanë vlerë identifikuese dhe për krahasim. Nisur nga dinamika e ngjarjes janë gjetur dhe më pas sekuestruar në cilësinë e provës materialet filmike dhe pajisjet regjistruese në disa ambiente biznes me qëllim evidentimin e mekanizmit të ngjarjes si dhe personave të dyshuar që kanë kryer veprën penale.
KAMERAT E SIGURISE
Është realizuar realizuar këqyrja e sistemit te D.V.R-së të kamerave të një furre buke, ku nga këqyrja janë marrë pamjet e kamerës numër rendor dy, për datën 26.12.2018, nga ora 16:00, deri në orën 19:00 minuta, me orën e kamerës, e cila është e njëjtë me orën lokale të Shqipërisë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se kur ora shënon 18:07:36 sekonda, dallohet në pjesën qendrore sipër pamjes në trotuar të afrohen dy shtetas. Personat e sipërcituar dallohet të jenë duke bërë një ecje në dukje me hap të nxituar. Kur ora shënon 18:07:38 një nga këta dy subjekte që është shënuar subjekti nr.1, fillon të vrapojë dhe më pas të kalojë nga pozicionimi i trupit drejt në gjunjë, veprime si të një personi që dëshiron të fshihet nga fushëpamja e dikujt apo dickaje. Ndërkohë personi tjetër, i emërtuar si subjekti numër 2, në këtë moment dallohet të bëjë ecje akoma edhe më të nxituar. Kur ora e kameras shënon 18:07:41, subjekti numër 2 fillon të bëhet më i dukshëm në karakteristikat e veshjes ku arrihet të dallohet se ka veshur një palë pantallona të gjatam një xhup me mëngë të gjata të cilin e mbante të hapur, e në brendësi të saj dallohet të ketë bluze me ngjyrë të bardhë. Ngjyra e rrobave nuk mund të përcaktohet për arsye të kalimit të kamerës në mënyrë infra të kuqe. Në dorën e djathtë dallohet të mbajë një send me ngjyrë në dukje si ajo e zeza. Kur ora e kamerës shenon 18:07:42, subjekti numër 2 kryen me duar veprime të njëjta me atë të një personi i cili bën mbushjen e një arme zjarri. Në këtë momentm subjekti numër 1, bëhet më i dallueshëm ku dallohet të ketë veshur një palë pantallona të gjata, një xhup të gjatë me ngjyrë në dukje si ajo e zeza. Në duar duket se ka një sendë me gjatësi të konsiderueshme pasi dy duart janë të pozicionuara në distancë nga njëra-tjetra. Kur ora e kamrës shënon 18:07:43 sekonda në pamje të kamerës nga pjesa fundore djathtas, dallohet të shfaqet një automjet në këtë moment subjekti numër 2, me sendin që mban në dorën e djathtë kryen veprime të njëjta me atë të një personi qe drejton armë zjarri një personi tjetër. Sendi që ai mban në dorë në këto çaste bëhet më i dallueshëm edhe karakteristika të njëjta me atë të një arme zjarri tip pistoletë. Në këtë moment dallohet se subjekti nr.2 ka veshur një palë atlete me vija vertikale në pjesën e lidhëseve, ku dhe ky shtetas ka karakteristika të njëjta me shtetasin Robert Përpepaj. Kur ora e kamerës shënon 18:07:43, subjekti nr.2 drejtohet drejt automjetit, duke bërë veprime të njëjta me dikë që tendon të ndalojë një automjet, në dukje dallohet se me dorën e majtë prek këtë automjet në anën e majtë, duke filluar nga pjesa e kofanos së gomës së përparme e më pas veprimi i tij është i njëjtë si me atë të mbajtjes nga doreza e derës së përparme majtas. Ndërkohë subjekti nr.1 dallohet të ketë kaluar nga ana e djathtë e këtij automjeti dhe kur ora shënon 18:07:45, veprimet e tij janë të njëjta me atë të një personi i cili është kapur tek pjesa e sipërme e bagazhot dhe duke tentuar të mbahet në të. Po në këtë moment dallohet të dalë një dritë e njëjtë me atë të një arme zjarri. Subjekti nr.2 dallohet në pamje të bëjë veprime të njëjta me atë të përdorimit të armës së zjarrit edhe 5 herë të tjera. Ky automjet është me ngjyrë në dukje si ajo e zezë e me karakteristika të njëjta me atë të markës “Mercedez Benz”, modeli “E-Class”. Kur ora e kamerës shënon 18:07:47, të dy subjektet largohen me vrap në drejtim të ardhjes së automjetit, ndërkohë automjeti është larguar nga fushëpamja e kamerës.
DESHMIA E TE PLAGOSURIT ERJON BENGA
Është pyetur në cilësinë e personit që deklaron rrethana të dobishme për hetimin shtetasi Erjon Benga, ku nga deklarimet ka rezultuar se ditën e ngjarjes, rreth orës 16:00 ka marrë në telefon shokun e tij, shtetasin Saimir H., i cili i ka thënë se ishte në qendër tek lodrat. Sipas deklaruesit, me automjetin e tij të sipërcituar ka shkuar në qendër, ka parkuar makinën në parking dhe më pas ka takuar Saimirin, i cili ishte në shoqërine e 3 apo 4 vajzave. Pasi janë përshëndetur me vajzat, njërën prej tyre e kanë çuar në Paskuqan dhe më pas janë kthyer në vendin e quajtur Laprakë, tek lokal “O…”, ku dhe kanë parkuar makinën tek parkingu i lokalit dhe më pas janë ulur në lokal. Sipas deklaruesit, brenda në lokal i prisnin brenda dy shoqet e tyre, e ndjera Griselda Gjikolaj dhe Romina L.. Sipas deklaruesit, pasi janë ulur, kanë pirë diçka dhe kanë rënë dakord që të iknin tek puna e Saimirit në Tapizë. Kanë dalë të katërt dhe kanë hipur në makinë, ku në vendin e drejtuesit ka hipur deklaruesi, Saimiri në vend të parë, e ndjera Griselda prapa tij dhe Romina prapa Saimirit. Sipas deklaruesit, sapo kanë ecur rreth 20 metra përpara tyre kanë dalë dy djem të rinj, të cilët kanë gjuajtur me leva dhe në këtë çast i ka dhënë shpejtësi mjetit. Sipas deklaruesit në këtë moment ka parë që personi që ishte në krah të tij, i quajtur Robert Përpepaj, ka gjuajtur me pistoletë në drejtim të deklaruesit, ndërsa personi tjetër ka gjuajtur me levë në drejtim të vendit ku ishte ulur Saimiri. Sipas deklaruesit, në kushtet e mësipërme e ka shtuar shpejtësinë dhe pasi ka ndjerë që ishte plagosur është drejtuar me shpejtësi në drejtim të Spitalit të Traumës. Sipas deklaruesit, me shtetasin Robert Përpepaj është konfliktuar fizikisht me grushte në afërsi të fushës së Laprakës para 10 ditësh. Sipas deklaruesit, atë dita ka qenë me Saimirin, ndërsa Roberti ka qenë me një shokun e tij, për emrin e të cilit ai nuk ka dijeni. Sipas deklaruesit, konflikti ka pasur si shkak faktin që përpara disa kohësh shoku i Roberit, kishte ngacmuar në lokal “O…” të ndjerën Griselda Gjikolaj dhe Saimiri i kishte thënë se e kishte ngacmuar Griseldën.
DESHMIA E SHOQES SE GRISELDES
Është pyetur në cilësinë e personit që deklaron rrethana të dobishme për hetimin shtetasja Arsela A., ku nga deklarimet ka rezultuar se nuk ka pasur dijeni për konfliktin e ndodhur para disa ditëve në Laprakë ku ishte përfshirë edhe shtetasja Griselda Gjikolaj. Sipas deklarueses, përpara disa kohësh në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qenë duke kaluar me Griseldën, kur një djalë ka kaluar afër saj dhe e ka ngacmuar me fjalë. Sipas deklarueses ajo nuk i ka kthyer përgjigje, por Griselda i ka thënë se ky djalë ishte kthyer sërish prapa dhe në momentin që është afruar ka tentuar që ta kapte nga bluza që kishte veshur. Sipas deklarueses, është kthyer dhe me një palë çelësa që kishte në dorë ka tentuar që ta godiste për ta frikësuar. Sipas deklarueses, nuk e njihte personin në fjalë dhe nuk e ka goditur sepse ai iku me vrap. Ajo ka deklaruar se para dy ose tri javësh, i dashuri i Griseldës ka marrë në telefon motrën e saj Rominën dhe i ka thënë se i kishte një nder borxh, pasi kishte rrahur djemtë që e kishin ngacmuar.
KEQYRJA E BANESES SE AUTORIT
Pas kryerjes së veprimeve hetimore është identifikuar banesa e shtetasit Robert Përpepaj, ku shërbimet e POlicisë kanë ushtruar kontroll, ku nga kontrolli në banesë dhe pyetja e babait të tij, shtetasit Prekë Përpepaj, ka rezultuar se ky shtetas nuk ishte në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e këtij të fundit. Nga materiali kallëzues ka rezultuar se në banesë janë gjetur dhe më pas sekuestruar disa materiale personale të shtetasit Robert Përpepaj, të cilat i janë nënshtruar eksperimenteve biologjike për material ADN-je për krahasim. Në kushtet e mësipërme, nga ana jonë, më datë 27.12.2018 është regjistruar emri i shtetasit Robert Përpepaj, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave”, në bashkëpunim, me pasojë plagosjen e shtetasit Erjon Benga dhe vdekjen e shtetases Griselda Gjikolaj, si dhe “mbatjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Më datë 28.12.2018 nga shërbimet e Policisë Gjyqësore është bërë i mundur identifikimi i shtetasit Ronald Muzhaqi, personi i cili ka rezultuar të jetë shoku i shtetasit nën hetim Robert Përpepaj, që është konfliktuar me shtetasin Erjon Benda dhe i cili ka qenë bashkë me shtetasin Robert Përpepaj në momentin e ndodhjes së ngjarjes.
DESHMIA E TE ARRESTUARIT RONALD MUZHAQI
Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për veprat penale të sipërcituara shtetasi Ronald Muzhaqi, ku nga deklarimet ka rezultuar se më datë 17.12.2018, rreth orës 21:00, një ditë para ditëlindjes së tij, në lagje ka takuar shtetasin Robert Përpepaj dhe më pas të dy kanë shkuar tek bar “O…”, e cila ndodhet në lagjen e tij tek pallatet “Gintash”, pasi aty brenda ishin dy shokët e Robertit që po i prisnin duke pirë kafe. Sipas deklaruesit, personat që shoqëronin Robertin nuk i njihte, por nga biseda ka mësuar se kishin qenë në burg bashkë me Robertin në Gjermani. Gjatë kohës që po pinin kafe të katërt, në të djathtën e tij, tri tavolina djathtas ishte një tavolinë me 3 persona, dy djem dhe një vajzë. Vajza, e cila ndodhej në tavolinë po shikonte drejt tavolinës së tyre dhe në atë moment deklaruesi e ka pikasur duke e parë me shikim të egër, por për momentin nuk i ka kushtuar rëndësi dhe ka vazhduar duke pirë kafe. Pasi kanë mbaruar kafen janë çuar të katërt dhe kanë dalë jashtë, ku jashtë janë ndarë me dy djemtë e tjërë, ku ai me Robertin kanë vazhduar rrugën drejt fushës së futbollit të Laprakës. Gjatë kohës që po ecnin me Robertin, kanë dëgjuar dikë që ka fishkëlluer nga mrapa. Kanë ndaluar të dy dhe janë kthyer pas për të parë se kush ishte. Në këtë moment ka parë dy djem në këmbë, njëri ishte i gjatë dhe i shëndoshë, ndërsa tjetri ishte pak më i shkurtër, trup mesatar. Personi i parë është afruar, i ka dhënë dorën të dyve dhe pastaj e ka pyetur duke i thënë se përse e kishte ngacmuar atë vajzën. Deklaruesi ka kërkuar të dijë se kë kishte ngacmuar, por personi i parë menjëherë e ka goditur me grusht në fytyrë. Në këtë moment Robert Përpepaj i ka dalë para dhe personi i parë e ka gjuajtur edhe Robertin, i cili i ka thënë se çfarë ishte duke bërë. Në këtë moment deklaruesi ka kapur Robertin dhe kanë vrapuar të dy në drejtime të ndryshme, ku ai ka vrapuar nga pallati i tij, ndërsa Roberti iku në drejtim të shtëpisë së tij. Nga ai moment deklaruesi nuk e ka takuar atë natë Robertin. Të nesërmen pas sherrit ai është takuar me Robert Përpepajn, i cili i ka treguar arsyen e vërtetë të këtij sherri, ku i ka thënë se para shumë kohësh ai kishte goditur me shpullë një shoqen e shtetases me emrin Griselda Gjikolaj dhe në atë kohë shoqet e Griseldës i kishin thënë Robertit se një ditë do ta paguante për atë që kishte bërë. Sipas deklaruesit, në këtë moment të dy me Robert Përpepajn janë interesuar për të mësuar se kish ishin dy personat dhe për këtë kanë takuar Shtetasin Din D., rreth 16 vjeç, i cili është vëllai i shtetasit Andi D., i cili ka punuar si kamerier në bar-kafe “S…”. Këtij personi i kanë kërkuar ndihmë që t’u tregonte se si quhej një person që rrinte dhe ishte shoku i Griseldës, të cilin ia kanë përshkruar fizikisht. Shtetasi Din D. ka hapur menjëherë në Faceboook foton e personit që ishte me emrin Erjon Benga duke i pyetur nëse ishte ky personi dhe Roberti e pa me vëmendje dhe i ka thënë se ai ishte personi që i kishte goditur. Nga ai moment e në vazhdim ata kanë filluar të interesoheshin për këtë shtetas, duke pyetur persona të ndryshëm se ku punonte shtetasi Erjon Benga. Nga të dhënat që kanë marrë nga persona të ndryshëm kanë mësuar se Erjon Benga nuk banonte në Laprakë, por në Institutin Bujqësor. Në ditët në vijim kanë ardhur në dijeni nga shtetasi Din D. se Erjon Benga frekuentonte shpesh lokal “O…” tek lagjja e tij dhe prej asaj dite kanë ndenjur gati çdo një orë, çdo ditë para lokalit “O…”, kryesisht nga ora 20:00. Pasi kanë ndenjur disa ditë rresht duke e pritur nuk arritën ta shikonin në lokal. Sipas deklaruesit, më datë 26.12.2018, rreth orës 17:00, ai ka qenë me Robert Përpepanj dhe kanë shkuar tek pallatet në zonën e “Don Boskos” dhe brenda pallateve kanë hyrë të dy në një “VVestern Union”, ku kanë tërhequr shumën prej 100 euro, të cilën ia ka dërguar një shoku i tij, i cili quhet Renato Z., i cili jeton në Francë. Por eurot ia ka dërguar nga Gjermania. Pasi kanë marrë 100 eurot janë nisur në këmbë për në drejtim të pallateve “Gintash”. Në atë moment shtetasin Robert Përpepaj e ka telefonuar Din D. dhe i ka thënë se Erjon Brenda ishte duke pirë kafe tek lokal “O…”. Roberti e ka pyetur Dinin se me sa djem ishte Erjoni dhe Dini i ka thënë se ishte vetë i dytë. Në këtë moment ai i ka thënë Robertit se do të shkonte në shtëpi për të marrë një levë dhe Roberti iku për të marrë diçka, duke e lënë të takoheshin menjëherë në afërsi të lokalit. Sipas deklaruesit, ka shkuar në shtëpinë e tij, ka marrë një xhiro makine me qëllimin për të goditur Erjon Bengën. Pasi ka zbritur nga pallati, ka shkuar në afërsi të lokal “K… D…” dhe aty ka takuar Robert Përpepajn. Roberti i ka treguar një pistoletë “TT”, të cilën e mbante në brez dhe i ka thënë se ai do ta mbante me presion me pistoletë Erjonin, ndërsa deklaruesi do ta godiste me levë në trup. Sipas deklaruesit, pasi kanë folur, të dy janë nisur në drejtim të lokal “O…”, ku sapo u afruan kanë parë mjetin me shtetasin Erjon Benga, i cili filloi të lëvizte drejt farmacisë “D…”. Në këtë moment me vrap i kanë dalë nga ana tjetër me qëllim për t’i dalë para. Janë afruar tek trotuari përballë furrës së bukës “K…” dhe i kanë dalë përpara mjetit. Deklaruesi ka dalë nga ana e pasagjerit, ndërsa Robert Përpepaj doli nga ana e shoferit. Erjoni i ka dhënë gaz makinës, ndërsa ai ka goditur me xhiro makine xhamin e parë të dërës së pasagjerit, por xhami nuk u thye. Në këtë moment ai ka dëgjuar disa krisma të njëpasnjëshme dhe aty ka parë që Robert Përpepaj po qëllonte me pistoletë në drejtim të automjetit. Ai së bashku me Robertin kanë ikur me vrap në drejtim të farmaci “D…”, më pas kanë kaluar një ngushticë pallati dhe kanë kaluar në rrugën “Dritan Hoxha”, duke kaluar në krahun tjetër të rrugës, ku kanë hyrë në një rrugicë pa dalje në fund dhe në fund djathtas të rrugicës, ku ndodheshin disa barishte ai ka hedhur xhiron e makinës, ndërsa Robert Përpepaj ka hedhur pistoletën “TT” dhe e kanë mbuluar me disa barishte. Më pas kanë dalë në rrugën kryesore “Dritan Hoxha” dhe kanë ecur në trotuar në drejtim të sheshit “Shqiponja”, ku aty në anë të terminalit të autobusëve të Jugut, ka qenë e parkuar një taksi “Benz” katërfenerësh, ku pasi kanë rënë dakord me çmimin janë nisur për në qytetin e Durrësit, ku fillimisht janë vendosur në një hotel. Sipas deklaruesit, në qytetin e Durrësit, nëpërmjet internetit ka ardhur në dijeni për vdekjen e Griseldës. Pas rreth 30 minutash i ka rënë telefoni ku ishte një numër që s’e kisht regjistruar, telefonatë të cilës ai i është përgjigjur dhe personi i ka thënë se ishte djali i tezes së Robertit. Deklaruesi i ka kaluar telefonin Robertit, ku ky i fundit foli rreth 2-3 minuta dhe kur ka mbaruar telefonatën i ka thënë se nuk ishte djali i tezes, por ishte kunati i tij, shtetasi Arben S. dhe se do shkonte dikush t’i merrte. Kanë dalë nga hoteli dhe janë drejtuar në drejtim të stacionit të trenit Durrës për të pritur personin që do i merrte. Kanë shkuar tek stacioni i trenit dhe atje e ka telefonuar një person dhe Roberti është përgjigjur në telefon, ku ky person i përshkroi automjetin. Roberti i ka thënë se duhet të shikonin një automjet tip “Vosvagen Golf 4”, ngjyrë blu të errët, të cilën e kanë parë të parkuar aty afër. Shoferi nuk ka dalë nga makina, Roberti ka hyrë në vendin e parë, ndërsa deklaruesi në sediljen e pasme shtrirë. Pas rreth një orë udhëtimi, kanë zbritur në një fshat në zonën e Kurbinit, ku i prisnin rreth 7-8 persona, ndër të cilët ishte edhe Arben S., kunati i Robert Përpepajt. Arbeni në këtë moment u ka marrë të dyve telefonat, u ka thyer kartat dhe i ka fikur telefonat. Arbeni i ka pyetur se kush qëlloi dhe Roberti i shpjegou se nuk kishin plan për të qëlluar, por kur i dha gaz makinës, kishte qëlluar me armë. Sipas deklaruesit, ai me Robertin është ndarë, ku ai ka ikur me dy persona në një fshat të Lezhës, duke u strehuar pranë një shtëpie private të njërit prej personave.