Prokuroria e Krujës në bashkëpunim me Krimet e Rënda së bashku me homologët nga Kosova vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët e vrasjes dhe djegies së Xhafer Osmanit nga Mitrovica.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur të kaluarën dhe konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur Osmani.
Deri tani policia ka ndaluar dy persona, i pari është fiksuar nga kamerat e sigurisë pranë karburantit ku u gjet makina duke mbushur një shishe me benzinë, por rezultoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Megjithatë ai është lënë në burg, pasi në banesë iu gjet një armë zjarri.
Ndërkohë që personi i dytë që është ndaluar është parë pranë vendit të ngjarjes ku u gjet makina dhe po hetohet nëse ka lidhje me rastin.
Kosovari u fut në Shqipëri në datë 29 prill, ndërsa mendohet se ka qëndruar në Durrës.
Ndërkohë që priten analizat e ADN-së nga laboratori i kriminalistikës.
Në Shqipëri ndodhet vëllai dhe nipi i viktimës, të cilët janë pyetur për të mësuar më shumë rreth të afërmit të tyre dhe problemeve që mund të ketë pasur.


