Dy autorët e dyshuar të një vrasjeje që ndodhi në maj të vitit që shkoi në Selanik janë vënë në pranga. Dy personat e arrestuar janë Orgel Xhambazi 24 vjeç dhe Medi Ganolli 32 vjeç, pasi rreth një viti më parë, në bashkëpunim me Romarjo Tahirin, të arrestuar më herët nga policia greke, vranë me thikë në Selanik të Greqisë një 43-vjeçar nga Korça.
Autoritetet, në vijim të hetimeve disamujore të kryera për dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 18.05.2020, në Selanik, Greqi, ku pas një konflikti të çastit mbeti i vrarë 43-vjeçari S. D. nga Korça, finalizuan operacionin policor të koduar “Radaneci 2021”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve O. Xh., 24 vjeç dhe M. G., 32 vjeç, banues në Korçë (të dy të dënuar më parë për vjedhje).
Këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, pas një konflikti të çastit, kanë vrarë me mjet të mprehtë (thikë), në Selanik, shtetasin S. D.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.