Vazhdon të diskutohet gjithmonë e më shumë shembja e godinës së Teatrit Kombëtar pas vendimit që mori Këshilli i Bashkisë së Tiranës, ndërsa artistët dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e drejton gishtin te ky këshill si fajtorin kryesor të prishjes së asaj godine.
Klodiana Beshku është një nga anëtaret e Këshillit bashkiak të Tiranës, e cila votoi pro prishjes së godinës, por ka parë që të sulmohet aq shumë, sa nuk ka duruar dhe u ka kthyer përgjigje me anë të një postimi në rrjetet sociale gjithë atyre që e akuzojnë si fajtore.
Ajo shprehet se këto akuza i kujtojnë fletërrufetë e kohës së monizmit, ku akuzoheshin njerëzit se nuk mendonin si gjithë të tjerët, por ajo shprehet se vota e saj ishte e bazuar në mendime profesionale dhe më se ligjore, ndaj akuzat ndaj saj dhe anëtarëve të tjerë duhet të bien poshtë.
Shkruan Klodiana Beshku: Fletërrufetë e monizmit për anëtarët e Këshillin Bashkiak në emër të demokracisë në shek. XXI
Unë kam qenë e vogël në kohën e diktaturës enveriste, por fletërrufetë i mbaj mend mirë, ndoshta sepse më bënin shumë përshtypje, duke pasur parasysh karakterit tim rebel. Fletërrufetë, për të rinjtë sot që ende nuk kishin lindur në atë kohë, ishin një formë akuze publike, shpesh të shoqëruara edhe me foto të personit të cilit i drejtoheshin, akuza për shfaqje të huaja të bashkëqytetarëve, komshinjve apo kolegëve. Shfaqjet e huaja kishin të bënin me sjellje apo vendime të atyre që nuk mendonin si të tjerët, që shfaqnin elementë “modernë”, “amerikanizues” ose “europianizues”.
Historinë e shoh të përsëritet sot nga disa të cilët kanë vendosur që, në emër të demokracisë, ti bëjnë gjyqin publik nëpërmjet nje fletërrufeje në formën e një kolazhi me foto, anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në emër te demokracisë, për votën e dhënë në kuadrin e të drejtës së tyre kushtetuese si anëtarë të një institucioni vendor. Aq sa paradoksal, është edhe i trishtë ky stadi primitiv në të cilin ka ngecur kjo demokracia jonë: pra të të gjykojnë për ushtrimin e të drejtës së votës ata që pretendojnë se iu janë cënuar të drejtat e tyre si qytetarë me të cilët bashkëndan te njejten një hapësirë publike. Kjo në politologji quhet demagogji, populizëm, por nuk po i hyj të shtjelloj më tej këto dy koncepte se nuk është ky vendi.
Ka edhe paradokse të tjera në këtë histori: Ish-ministresha që denigrojnë zëvendës-ministra e kolegë aktualë e që thërrasin në mënyrë histerike për përgjegjësi publike në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme, partiakë të cilët tek anëtarët e Këshillit Bashkiak shohin alter egon e tyre e përfaqësues të shoqërisë civile (që për hir të së vërtetës i dua shumë) të cilët do të kishin dashur që anëtarët e këtij Këshillit t’i shihnin gjërat nën të njëjtën optikë, pra në atë vetëm normative e jo të efikasitetit në përdorimin e të banuarit të territorit.
E në këtë primitivizmin e demokracisë tonë ku logjika institucionale dhe racionaliteti i filozofëve gjermanë ende nuk ka ngjizur, nuk e kisha menduar kurrë që do të më duhej ti rikthehesha kujtimeve si studente e kursit të së Drejtës Kushtetuese në një prej universiteteve më të vjetër europianë, nga babai i filozofisë të së drejtës, Hans Kelsen. Rreth të njëzetave, aty m’u mësua se vullneti që formëson votën është i lirë, se nuk ekziston përgjegjësia penale për ushtrimin e këtij vullneti në cilësinë e tij (pra nëse është votë pro ose kundër), përpos ligjshmërisë juridike në ushtrimin e detyrës.
Thënë këto e duke qenë se nuk jam dhe nuk kam qenë asnjëherë anëtare e ndonjë bordi shtetëror dhe se çdo detyrë a pozicion në të shkuarën e kam pranuar për ti shërbyer vendit tim, nuk lejoj askënd të më cënojë dinjitetin e profesionalizmin e bashkë me to, ata që besojnë tek unë.