Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë që i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të tërhiqet nga vendimi i saj për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Rezoluta jodetyruese u miratua nga 128 shtete, 9 votuan kundër dhe 35 vende abstenuan. Mes vendeve që votuan kundër SHBA-së dhe pro rezolutës së OKB është edhe Shqipëria. Pas votimin kundra, të gjithë sytë e opinionit publik u drejtuan të gjithë tek Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Të shumtat prej tyre, ishin akuza.
Por, duket se ky i fundit i ka paraprirë kësaj pasi para 1 jave, në parlament ka paralajmëruar se qëndrimi i Shqipërisë do të jetë i unifikuar Bashkimin Europian.
Ministri i jashtëm, Ditmir Bushati shpjegoi në parlament që në datën 14 dhjetor se përse vendit tonë i takon të mbajë një profil të ulët në këtë çështje, megjithëse pozicionimi nuk ka ndryshuar.
“Persona të ndryshëm më kanë pyetur përse nuk jemi shprehur. Por unë mund t’ju them që kjo qeveri nuk vuan nga gjigandomania që për çfarëdo lloj gjëje që shfaqet, qeveria të dalë me një qëndrim, duke pasur parasysh se qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast është ai qëndrim i pandryshuar ndër vite, i reflektuar tek vota jonë në OKB, në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian” u shpreh Bushati, që sqaroi se nuk ka asgjë të re në qëndrimin e Shqipërisë, megjithëse ambasadori ynë ka marrë pjesë së fundmi në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.
“Nuk ka një qëndrim të ri nga ana e Shqipërisë. E kemi bërë këtë diskutim edhe për Palestinën në OKB me shumë prej jush. Është i njëjti qëndrim që Shqipëria ka mbajtur në OKB, në lidhje me 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit, rezoluta detyruese që i referohen 1967-s, në përputhje me linjëzimin tonë të politikës së jashtme 100% me atë të Bashkimit Evropian” e mbylli fjalën e tij Ministri i Jashtëm.
Çfarë tha ai sot për votën kundër:
Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve.
Fakt është që rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria dje, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit. Më konkretisht Rezoluta 252 e vitit 1968, Rezoluta 476 e vitit 1980, Rezoluta 478 e vitit 1980 dhe me e fundit, Rezoluta 2334 e vitit 2016. Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne.
Po ashtu, Shqipëria ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së.
Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi.
Hannah Arendt ka pasur të drejtë kur thoshte se e keqja më e madhe e një shoqërie nuk është nazisti i bindur e as komunisti i devotshëm, por të gjithë ata për të cilët dallimi mes fakteve dhe trillimeve, të vërtetave dhe gënjeshtrave, nuk ekziston.
Përgatiti: AlpeNews.al


