Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri po punon për të organizuar votimin e emigrantëve nga jashtë vendit, një praktikë që do të zbatohet për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës së ardhshme.
Votimi do të realizohet përmes postës, duke garantuar një proces të sigurt dhe të qartë, sipas komisionerit Ilirjan Celibashi. Emigrantët që dëshirojnë të votojnë do të duhet të regjistrohen përmes një platforme online, ku do të ngarkojnë dokumentet e identifikimit dhe adresën e tyre.
KQZ pritet të fillojë një fushatë informimi për t’i njohur emigrantët me këtë mundësi, duke vlerësuar se numri i votuesve potencial mund të arrijë deri në 1.1 milion.
Fletët e votimit do të dërgohen në adresat e votuesve dhe duhet të kthehen në KQZ pas plotësimit. Votuesit do të mbulojnë kostot e dërgimit, që mund të variojnë nga 10 deri në 40 euro, duke përbërë një sfidë për disa prej tyre.
Numërimi i votave do të realizohet nga KQZ, e cila po përballet me vështirësi logjistike për shkak të kohës së ngushtë.
Ende nuk është e qartë se në sa qarqe do të zbatohet votimi dhe numërimi elektronik. Celibashi ka shprehur shqetësim se ndoshta nuk do të ketë mundësi për të realizuar këtë proces në asnjë qark, për shkak të vonesave. //VOA


