Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se nëse ndryshimet e Kodit Zgjedhor për votën e diasporës do të miratohen pas fundit të marsit ata nuk do kenë dobi.
Më 4 mars përfundon procesi i aplikimit të votuesve të diasporës dhe më 9 mars lista e votuesve nga jashtë.
24 mars mbyllet procesi i paraqitjes së kandidatëve për deputet.
Menjëherë pas marsit do të nisë printimi i fletës së votimit dhe dokumentacioni i procesit zgjedhor për votuesit nga jashtë.
“Llogaritë i bëjnë të gjithë se kur këto ndryshime do të jenë në fuqi. Nëse janë pas fundit të marsit nuk kanë asnjë dobi për KQZ” tha Celibashi.
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për shtyp me gazetarët bëri të ditur se i ka kërkuar Kuvendit që të miratojë buxhetin për fushatën zgjedhore.
“I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Me siguri ky buxhet do tu vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore më para fushatës, pasi ky buxhet u është vënë në dispozicion në zgjedhjet e mëparshme shumë pak ditë para nisjes së fushatës ose në ndonjë rast edhe kur fushata kishte filluar”, tha Celibashi.
Celibashi bëri me dije dhe dispozitat që i janë dërguar Kuvendit.
Për ne është e rëndësishme dispozita që ka të bëjë me kostot e pagimit të shërbimit postar. Dispozita që ka të bëjë me afatin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Po I dërgojmë dhe sot një propozim që ka të bëjë me ankimin ndaj vendimit për mospërfshirjen e votuesve nga jashtë kur është rasti. Nga ajo cfarë parashikon Kodi është i pamundur të realizohet I propozoj Kuvendit që kjo dispozitë të ndryshojë, duke I mundësuar votuesve që do të jenë në të drejtën e tyre për tu ankuar ndaj vendimit të KQZ edhe përmes një platforme online. Do ia dërgojmë këtë propozim teknik sot kuvendit. I kemi kërkuar Kuvendit të ndryshojë atë aspect të kodit Zgjedhor që ka të bëjë me procedurat e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit.
I pyetur në lidhje me propozimin e PD-së për votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, Celibashi tha se nuk komenton propozime të partive politike.
“Nuk me takon të komentoj propozimin që partitë politike kanë me ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor. Nëse bien dakord ato për të ndryshuar elemente të ndryshme të Kodit Zgjedhor ne kemi detyrimin për t’i zbatuar. Komente nuk mund të japim, kemi hyrë në periudhë zgjedhore,” tha ai.
“Sistemi është ndërtuar për të identifikuar nëpërmjet dokumenteve të identifikimit të lëshuar nga Republika e Shqipërisë. Nëse do të duhet dhe nëse palët bien dakord që identifikimi do të duhet të bëhet nëpërmjet dokumenteve të tjera do të duhet të zhvillohet ky sistem ose një tjetër,” tha Celibashi.
Celibashi tha më tej se “votimin elektronik e kemi detyrim ligjor që një projekt pilot për ta bërë. Votim elektronik me mundësitë zgjedhore në një qark nuk do të zhvillohet”.
I pyetur për besueshmërinë e Platformës Elektronike e Regjistrimit, Celibashi tha se “nuk ka asnjë komunikim, asnjë lloj ndërveprimi të çdo lloj mënyre të platformës PER me të tretë me jashtë KQZ. Në mënyrë kategorike. Në një injorancë të plotë mbi teknologjinë, e merr për të sigurt që KQZ këto numra të telefonit ia jep filanit apo fistekut! Zero! Kushdo është i mirëpritur dhe të bëjë verifikimet në KQZ. Për çfarë duhet ta bëjmë këtë në shërbim të kujt. Ndaj këta me këto deklarime dëmtojnë procesin për të mos thënë që kanë një kostum politik me deklarime të tillë i bëjnë dëm votuesit të tyre”.
Celibashi bëri me dije se partitë politike nuk kanë sjellë ende në KQZ emrat për anëtarë të KZAZ-ve.


