Deri më 7 maj 2025, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë mbërritur 153,277 zarfe me fletë votimi të dërguara nga votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke përfaqësuar 62% të totalit prej 245,935 zarfeve të shpërndara.
Nga totali i zarfeve të dërguara 37% e tyre u dërguan në Itali sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, 27,8% në Greqi, 10,4% në Gjermani, 8.4% në SHBA, 7% në Angli, në Francë u dërguan 2.2% etj.
Nga totali i zarfeve të mbërritura në KQZ, sipas të dhënave 43% e tyre janë nga emigrantët që jetojnë në Itali, 18% nga Greqia, 12% nga Gjermania, 10% nga SHBA, 7% nga Anglia etj.
KQZ ka nisur këtë proces për herë të parë në mënyrë të zgjeruar, me synimin për të përfshirë votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Votuesit kanë marrë me postë zarfin me fletën e votimit dhe udhëzimet përkatëse, të cilat duhet t’i kthejnë pranë institucionit deri në ditën e zgjedhjeve.
Po ashtu sipas të dhënave zyrtare, 92% e zarfeve të dërguara janë marrë nga qytetarët, ndërsa 20,234 votues, ose rreth 8%, ende nuk i kanë marrë materialet e votimit.


