Vonesat në ngritjen e dy institucioneve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë; Këshillit të Lartë gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë bllokuar të gjithë zinxhirin e zbatimit të reformës në drejtësi përfshi edhe shkollimin dhe emërimin e magjistratëve te rinj.
Drejtori i shkollës se magjistraturës Sokol Sadushi i është drejtuar me një letër Parlamentit ku i kërkon të ndërhyjë për të zgjidhur ngërçin.
Shkolla e Magjistraturës ndodhet në një situatë të vështirë për realizimin e objektivave të saj, që janë të lidhura me pamundësinë e organizimit në muajin prill, të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë, por edhe të mosemërimit të kandidatëve për magjistratë, që diplomohen në muajin qershor të vitit 2018.
Ligjet e reja në kuadër të reformës ne drejtësi parashikojnë që do të jetë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, të cilët shpallin numrin e kandidatëve që do të pranohen në shkollën e magjistraturës, e janë po këto institucione qe bëjnë emërimin e tyre. Por në kushtet kur për këto dy institucione ende nuk ka një date se kur do te ngrihen shkolla e magjistraturës, kërkon ndryshimin e kuadrit ligjor pasi ne muajin qershor magjistratët do te diplomohen.
“Vlerësojmë se e vetmja zgjidhje është marrja e iniciativës legjislative për të bërë një ndryshim në një prej dispozitave ligjore të ligjit, në mënyrë që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të emërojë kandidatët magjistratë të diplomuar”, raporton Vizion+.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk janë ngritur ende pasi kandidatët për këto institucione po i nënshtrohen Vettingut; ndërkohë që parlamenti ka mbyllur pjesën e tij të detyrimeve duke zgjedhur 10 anëtarë në të dy këshillat.


