Afro 4.5 tonë drogë e llojit kanabis sativa u sekuestruan mbrëmjen e së mërkurës (18 tetor 2017) në Babicë të Vlorës në një megaoperacion që finalizoi një hetim të agjensive lizgjzbatuese shqiptare në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe shërbimet inteligjente.
Ekspertët bënë të ditur se vlera e kësaj sasie në treg shkon në afro 15 milion euro.
Aksioni nga Krimet e Rënda, i mbështetur nga Delta Force si dhe drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, nisi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme.
Burime nga policia bënë me dije se lënda narkotike u gjet e fshehur në bodrumet në një banesë dykatëshe shtetasit Arman Koçerri i cili njihet dhe si mik i familjes Habilaj.
Në baze të hetimeve të Prokurorisë, rezulton se lenda narkotike është kultivuar, përpunuar, magazinuar dhe është bërë gati për trafik nga persona, pjese e grupit kriminal te njohur si Habilajt.
Ndërkohë, hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë, për zbulimin e te gjithë personave të përfshirë në grupit kriminal.
Në aksion raportohet se ishin të përfshirë rreth 100 efektivë policie nga njësitë speciale nga Tirana, ata Delta Force si dhe antidroga e Vlorës. Veç banesës ku u sekuestrua lënda narkotike mësohet se kontrolle janë ushtruar edhe në disa banesa të tjera në fshat, mbi dyshime të arsyeshme siç thonë burimet.
Kontrollet gjatë orëve të para të mëngjesit u shtrinë në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër Memaliaj dhe Tepelene, ndërsa pritet që operacioni të vijojë edhe gjatë ditës së enjte.
Por para agjensive ligjzbatuese lajmin për sekuestrimin e lëndës narkotike e bëri të ditur ish-kryeministri Sali Berisha, i cili postoi në faqen e tij në Facebook një video që sipas tij, është xhiruar në një banesë në Babicë.