Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në rezidencën e ambasadorit Italian në vendin tonë.
Burime të sigurta i thanë sot Panorama se lideri i opozitës ka qenë në takim në orën 13, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i brendshëm Italian që ndodhet për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në axhendën e shpërndarë nga Ministria e Brendshme, thuhej se ministri Italian Minniti do të takohej vetëm homologun e tij Fatmir Xhafaj dhe Presidentin Ilir Meta, dhe nuk ishte parashikuar takim me Bashën.
Takimi i mbajtur larg syrit të mediave ka zgjatur rreth 30 minuta dhe pjesë e bisedës besohet të ketë qenë trafiku i drogës, dosja “Habilaj” dhe akuzat për Sajmir Tahirin.