Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko po zhvillon një vizite në SHBA, vizitë e cila sipas deklaratës, bëhet me ftesë të Departamentit të Shtetit.
Kuko ka zhvilluar takime zyrtare në Byronë e Kundërterrorizmit, në Byronë e Çështjeve Evropiane si dhe në Departamentin e Sigurisë së Brendshme (Homeland Security).
Gjatë këtyre takimeve u rikonfirmua mbështetja amerikane ndaj vendit tonë për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Sipas Ministrisë, palët ranë dakord për intensifikimin e programeve të asistencës në sistemet teknologjike dhe burimet njerëzore në fushën e hetimit të përbashkët.
Zv/ministrja Kuko zhvilloi gjithashtu disa takime të frytshme në Institutin e SHBA për Paqe dhe në Qendrën e Hulumtimit Teknologjik, ku u diskutua rreth luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Në këto takime, Kuko prezantoi masat e marra nga vendi ynë në këtë drejtim dhe u diskutua edhe për realizimin e një projekti konkret të përbashkët. Në tryezat e zhvilluara u shkëmbyen përvojat specifike në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ekspertët e fushës pranë këtyre organizatave paraqitën raste ilustruese nga gjithë bota që u çmuan me interes nga palët.