Kryeministri Edi Rama kthehet nga Brukseli, me një bilanc mëse pozitiv.
Më së pari për Shqipërinë, që, ashtu siç tha kreu i BE-së, Juncker, në muajt e ardhshëm mund të hapë negociatat me Brukselin për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Rama u prit me një protokoll të plotë në Bruksel.
Ai takoi presidentin e BE-së, Donald Tusk; shefen e Diplomacisë, Federica Mogherini; kryetarin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani.
Të gjithë krerët e BE-së, vlerësuan në kor mandatin e parë të Ramës.
Ata thanë në një zë përmbledhtasi, se “vlerësojmë hapat e rëndësishme që Shqipëria ka bërë përpara”.
Dhe pika kryesore për të cilën u vlerësua Rama dhe Shqipëria, është reforma në drejtësi, e cila pritet të vihet në zbatim shumë shpejt.
Është pikërisht kjo kërkesë që i është përsëritur Shqipërisë nga Bashkimi Europian, që në 2014-n.
Federica Mogherinit deklaroi atëhere në Parlamentin shqiptar se, “kush është pro reformës në drejtësi ka mbështetjen tonë”.
Dhe tashmë duket se BE po e mban fjalën e saj, duke shpërblyer Ramën për mbështetjen e pakushtëzuar që i ka dhënë reformës në drejtësi.
Mbështetje që mungoi nga ana e PD-së dhe LSI-së, tek të cilat ka pllakosur zija pas vizitës së Ramës në Bruksel.
Askush nga dy partitë opozitare nuk kanë nxjerrë ndonjë deklaratë për të vlerësuar qendrimin pozitiv të BE-së, që premtoi se në muajt e ardhshëm mund të hapë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.
Ato kanë heshtur, madje dhe mediat pranë tyre.
I vetmi që ka guxuar të flasë, është Fahri Balliu, që hapte gazetën me titullin e madh, “Rama kthehet duarbosh nga Brukseli”.
Edi Rama gjithsesi nuk mori një mbështetje të pakushtëzuar.
Atij ju dhanë 6 muaj afat për të treguar se atë që ka bërë me reformën në drejtësi, ta kthejë në fakte.
Pra, në ngritjen e organeve të reja të gjyqësorit dhe prokurorisë, të cilat do të çojnë në arrestimet e peshqve të mëdhenj!
Ndërkohë, interesant është fakt se nga takimet e rëndësishme që Rama ka zhvilluar në Bruksel, tre prej drejtuesve kryesorë të BE-së, Donald Tusk, Jean Claude Juncker dhe Antonio Tajani janë figura qëndrore të Partisë Popullore Europiane, përkatësisht grupimit të qendrës së djathtë, anëtare e së cilës është edhe Partia Demokratike shqiptare.
Tre figurat e PPE-së ishin më entuziastë në mbështetjen ndaj Edi Ramës, sesa Federica Mogherini, e cila është drejtuese e PD-së italiane të Matteo Renzi-t.
I vetmi që “nxinte” nga PPE, ishte Joseph Daul, që u shfaq krah Bashës për t’i bërë qokën e radhës, ndërkohë që Rama merrte mbështetjen e drejtuesve të lartë të BE-së.(TemA)


