Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në një konferencë për shtyp për vizionin 2026 dhe ekosistemin e ri të bashkëpunimit mes turizmit, kulturës dhe sportit, tha se fokusi kryesor është kalimi përtej tavaneve të buxhetit. Për këtë, do të nevojitet të gjenden burime të tjera financiare.
“Lufta jonë parësore është që të kërkojmë përtej tavaneve të buxhetit sepse Shqipëria do të duhet të shpikë fonde, të maksimizojë vlerën. Shumëfishimi i mbështetjes për institucionet, mirëmbajtja, investimi në infrastrukturë, objekteve historike, itinerare, muzeume, tashmë kanë marrë jetë”, tha Gonxhja.
Ministri tha se ka një rritje prej 6.6% në turizëm pasi 2025 u mbyll me 12.2 milionë vizitorë. Menaxhimi dhe rritja e shërbimeve janë thelbësore, u shpreh ai.
“Kemi nisur punën për digjitalizimin e shërbimit. Jemi duke punuar për rritjen e hapësirës së plazhit publik, për mirëmenaxhimin e stacioneve dhe këtë vit kemi sjellë risinë e vetëmenaxhimit krahas atij nga subjektet private që ata në ato zona e harta që bashkia konstaton. Reduktimi i beach bar-eve, ulja e ndotjes mjedisore dhe akustike dhe rritja e këndit të sportit e lojërave. Kemi nisur punën për më shumë informacion për qiranë afatshkurtër dhe në bashkërendim me organet, të rrisim certifikimin, kontrollin duke eliminuar evazionin. Ndërkombëtarëzimi i ofertës dhe potencialit të Shqipërisë, duhet të rrisim praninë në tregjet kombëtare përmes pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare. Rritje të cilësisë së shërbimit turistik përmes zhvillimit të kapaciteteve njerëzore. Trajnime të vazhdueshme, certifikime, përshtatje të kurrikulave. Turizëm gjithëvjetor përmes turizmit të eventeve që strukturat të kenë kapacitete jo vetëm në shtretër, por për të përballuar aktivitete. Është i rëndësishëm turizmi i eventeve, malor, ekologjik, gastronomik e kulturor.”, tha ministri.
Ministri tha se në nivel institucional do të ketë riorganizim, ndërsa priten investime në infrastrukturën kulturore. “Sivjet bëhemi gati të hapim atraksione të reja në art e kulturë”, tha ai, por sigurisht që fokusi te ato ekzistuese mbetet. “Duam të rrisim sa më shumë numrin e koleksioneve të ndryshme të gjithçkaje”, tha ministri.
E drejta e autorit do të ketë vëmendje të veçantë, tha Gonxhja, sepse synon forcimin e saj. Do të ketë ndërhyrje në ligjin e sponsorizimit, parashikohet mbështetje për organizatat rinore dhe fondet për sportin janë 32% më shumë sesa në vitin 2025.


