Dy persona u arrestuan nga policia ndërsa një i tretë u shpall në kërkim si autorë të dyshuar të vjedhjeve me armë në karburante, në zonën e Kurbinit.
Flakon Tafa, 24 vjeç, i dënuar më parë dhe Fatjon Tafa , 27 vjeç, edhe ai i dënuar më parë, të dy me banim në Kurbin, u arrestuan nga forcat speciale teksa udhëtonin me një makinë.
Vjedhja e parë ka ndodhur më 28 korrik të vitit 2017 në një karburant, ndërsa më 28 shkurt të 2018-ës, ata kanë tentuar të vjedhin me armë një tjetër karburant në Kurbin.
“Më datë 28.07.2017, rreth orës 03:00, në Skuraj të rrethit Kurbin, të armatosur dhe të maskuar, 3 persona në bashkëpunim me njëri kanë vjedhur pikën e një karburanti ku kanë marrë shumën monetare 110.000 lekë të rinj.
Më datë 28.02.2018, rreth orës 00:20, kanë tentuar të vjedhin po më armë pikën e një karburanti në aksin rrugor Milot – Thumanë”, sqaron policia.
Policia thotë se ka shpallur në kërkim autorin e tretë, i cili është identifikuar, edhe ai i dënuar më parë. Policia jep vetëm moshën dhe inicialet, F.K.30 vjeç, banues në Kurbin.
Për të tre, Gjykata e Kurbinit ka caktuar më 12 korrik 2-18, masën e sigurisë ” Arrest me burg” për veprat penale ” Vjedhje me armë’ e kryer në bashkëpunim”.
“Vazhdon puna hetimore për dokumentimin ligjor të rasteve të tjera të vjedhjeve ku dyshohet se këta shtetas janë autorë”, – thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Lezhës.


