Partia Demokratike, ndonëse publikisht pretendon se dhuna nuk ka qenë kurrë qëllim dhe mjet i saj, episodet e ofruara gjatë protestës së djeshme tregojnë krejt të kundërtën.
Dhjetëra kapsolle, gurë, mjete shpërthyese u hodhën në drejtim të uniformave blu, të cilat qëndronin në mbrojtje të institucioneve ligjzbatuese. Si rezultat i dhunës së djeshme, ku nuk munguan as bombat molotov u lënduan disa policë, si edhe u thyen xhamat e dritareve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në atë të Tiranës.
Më herët Ministria e Brendshme kishte paralajmëruar për episodet e dhunshme dhe u ka kërkuar organizatorëve të protestës të shmangnin sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe efektivëve të policisë.
“Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm”, u shpreh zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari në një dalje publike përpara zhvillimit të protestës.


