Ditën e djeshme, 47-vjeçari Adrian Kallami u gjet i varur në banesën e tij në fshatin Barbullush të Shkodrës.
Familjarët e 47-vjeçarit pretendojë se policia e ka rrahur dhe i ka ushtruar presion psikologjik, duke e çuar drejt vetëvrasjes të ndjerin.
Sot, në një reagim për mediat, vajza e viktimës ka bërë deklarata të forta përsa i përket vdekjes së babait. Ajo thotë se i ati i ka thënë se në polici ishte dhunuar, madje shprehet se nëse nuk vihet drejtësia ajo do të jetë viktima e tretë e familjes (Gruaja e Ardianit kishte vdekur para 6 muajsh).
Çfarë tha vajza e viktimës:
“Rreth një orë para se të ndodhë ngjarja kam folur me të. Ishte në gjendje depresioni. Më ka thënë që është dhunuar nga policia të shtunën që është ndaluar. I kanë bërë presion që të pranonte dhe krimin. Ai ka pranuar se është goditur në fyt dhe një grusht pas qafe. Është akuzuar për një vjedhje të banesës së komshiut tonë”.
Ajo pranon se babai i saj ka kryer një regjistrim video në momentin që policia e ka shoqëruar të shtunën në komisariat. Sikurse paralajmëron një tjetër ngjarje në familjen e saj nëse nuk vendoset drejtësi.
“Nëse drejtësia nuk do të bëhet do jetë një ngjarje e tretë në familjen tonë, e para ishte mami, tani babi. Akuzat ndaj babit janë vetëm shpifje nga inati që nuk flasim me banorët..Komshiu ka dhënë një dëshmi, dëshminë mund ta japë kushdo por babai im pse të dhunohet. Në incizim babai ka përmendur se policia e ka dhunuar. Drejtësia të shkojë deri në fund, të zbardhet çështja ashtu siç është”.
Çfarë tha vëllai:
“Ka ardhur Policia të shtunën dhe e ka marrë teksa ishte duke u marrë me bagëtitë. Ka qenë ora 07:30 në mëngjes dhe e kanë mbajtur deri rreth orës 15:00. Kam shkuar dhe i kam dërguar një cigare brenda në paraburgim. Aty e pyeta vëllain nëse e kishte bërë ai grabitjen. Ai m’u betua se s’kishte asnjë lidhje. Atëherë, i thashë, duro se nuk mund të mbajnë kot dhe se kanë për të nxjerrë jashtë. Duke folur me të, më tha se një prej shefave e ka goditur. I kishte dhënë një goditje në fyt dhe më tha se ky shefi po më rrënon sa herë që vjen. Përsëri të dielën e kanë marrë dhe kam komunikuar me të. Ka folur edhe djali im, që erdhi nga Italia, dhe i kemi thënë qetësohu se asgjë s’do ndodhë. I kishin marrë shenjat e duarve dhe gjithçka. Sot (të hënën), ai duhej që të ishte në burg, por ndodhi kjo që nuk e prisnim asnjëherë. E shoqëruan dhe i kanë dhënë një letër për ta firmosur, se vëllai nuk dinte as të lexonte, as të shkruante dhe ai shefi ka shkruar në atë letër çfarë ka dashur. Më pas e kanë firmosur. Këtë letër na e dha Policia më vonë, si për të na thënë se pretendimet tona ishin të kota, pasi ai e kishte pranuar krimin”, u shpreh dje Zef Kallami, vëlla i viktimës.
Letra, u tha se u shkruajt nga ai por vëllai i viktimës deklaroi se ai nuk dinte të shkruante:
“Furtuna” në komisariatin e Vaut të Dejës pas vetvrasjes:
Vetëvrasja e 47-vjeçarit Ardian Kallami pak orë pasi ishte ndaluar nga Policia i akuzuar për vjedhje, ka shkaktuar fortunë në Komisariatin e Vaut të Dejës. Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu ka urdhëruar pezullimin e shefit të Komisariatit të Vaut të Dejës, Paulin Çupi dhe dy policë të zonës me inicialet Z. D dhe P. Zh. Gjithahstu mësohet se Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe ankesave ka nisur hetimin e 9 efektivëve të këtij komisariati, përfshirë edhe tre të pezulluarit.
Dyshohet se efektivët që kanë trakjtuar rastin kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj 47-vjeçarit, i cili në çdo rast ka mohuar akuzën. Por në një procesverbal të mbajtur nga oficerët e policisë që e morën në pyetje, që tashmë është administruar nga Prokuroria, Ardian Kallami ka firmosur mbi një deklarim ku pranon grabitjen dhe se sendet e vjedhura do t’i kthente brenda dy ditëve.
Unë Ardian Ndreli Kallami ju garantoj se brenda dy ditëve do shkojnë materialet tek banesa e fqinjit Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin në vullnetin tim dhe që mos kryeja e kësaj pune që premtova jam dakord për të mbajtur përgjegjësi ligjore.
Video-ja misterioze:
Burimet pohojnë se ai e ka regjistruar me telefon momentin që është shoqëruar në polici, ndërsa videoja është sekuestruar nga prokuroria. Sipas burimeve nga prokuroria gjatë shoqërimit, në regjistrimin që ka bërë dëgjohet teksa u drejtohet policëve me fjalët “Nuk kam bërë asgjë, jam i pafajshëm, më lini rehat në punët e mia”.
Punonjësja e ndihmës ekonomike rrëfen si e njohu Ardianin dhe si e përjashtuan nga skema:
AlpeNews.al




