Ashtu sikurse ministri i Brendshëm që i ka mëshuar fort idesë së Vettingut në radhët e Policisë së Shtetit për pastrimin e punonjësve të inkriminuar, edhe kryeministri Edi Rama e paralajmëroi këtë gjatë një takimi me drejtues të lartë të policisë, duke theksuar edhe mënyrën si do të realizohet.
Përveç mbërritjes në Tiranë të agjentëve të specializuar të FBI-së si dhe atyre gjermanë, Rama tha se shumë shpejt do të vijnë edhe agjentë nga vende partnere, ndërsa konfirmohet se po diskutohet edhe me një kompani hetuesish me ish-agjentë të FBI-së.
“Do të vijë një agjent prestigjioz i FBI. Mbërrin dhe një agjent tjetër për të mbështetur policinë kundër krimit të organizuar. Po diskutojmë me një kompani hetimesh që drejtohet nga ish-agjentë të FBI-së dhe do të vijnë këtu. Do sjellin eksperiencë që ne nuk e kemi, fuqi motivuese, por do sjellin dhe instrumentet e tyre operacionale për vetingun në Policinë e Shtetit. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin. Ka dhe një instrument për sinqeritetin, poligrafi. Të gjitha këto do të jenë këtu”, tha Rama.


