Gjyqtari Artan Laze iu nënshtrua sot procesit të Vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në një seancë ku ai tha se ishin shtrembëruar shumë fakte ndaj tij.
Laze u shpreh i bindur se do të rikonfirmohet në detyrë:
“Kam besim te drejtësia sepse në konkluzionet kishte shumë fakte, që komisioni do i rivendosë. Kam besim se do të rikonfirmohem në detyrë”, u shpreh Laze për mediat.
Gjyqtari Laze tha se ka marrë kërcënime pasi ka dhënë disa dënime përjetë, dhe kërkoi që KPK t’i shqyrtojë më mirë këto raste për të mos i hedhur në rrugë gjykatësit.
“Edhe gjatë detyrës sime, por edhe në kohën që u shkëputa jam kërcënuar, doja të jepja një mesazh, jo vetëm për mua, por me shumicën e gjyqtarëve që kanë dhënë drejtësi. KPK duhet që të ketë shumë kujdes, të vendosë në peshore”, tha Artan Laze.
Sipas KPK-së gjyqtari Laze ka fshehur pasurinë, por ai pretendon se është gënjeshtër e Bankës dhe ILKDPI që ka bërë deklarim të rremë.


