Pallati i Kongreseve është vendi ku po kalojnë në sitë njerëzit e drejtësisë. Në të njëjtë sallë do të bëhet edhe vettingu në radhët e policisë, i cili do të nis me numrin një, Ardi Veliun, për të vazhduar më pas me Aida Hajna, Gjovalin Loka, Tonin Vocaj dhe Muhamet rrumbullaku.
Vettingu në radhët e uniformave blu, i cili pritet të filtrojë rreth 13 mijë punonjës, ka filluar prej pak ditësh me 45 dosjet e para të drejtuesve më të lartë. Zv. Ministri i brendshëm, Julian Hodaj, tha se janë 245 dosje në total te drejtuesve të lartë që do të shqyrtohen nga Komisioni I Jashtëm I Vlerësimit.
“Procesi ka vijuar me fazën e parë që janë rreth 245 punonjës të funksioneve dhe gradave më të larta. Janë kërkuar dhe shkëmbyer informacione më të gjitha institucionet. Kini parasysh që bëhet fjalë për një volum të lartë informacioni. Do ishim shumë të lumtur nëse në fund të korrikut do të kishim edhe caktimin e seancave të para dëgjimore”, u shpreh Hodaj.
Janë tre kritere mbi të cilat do të bëhet kontrolli i njerëzve të rendit: ai i pasurisë, i figurës dhe aftësive profesionale.


