Disa ditë më parë e reja Adela nga Rrësheni vrau veten. Asgjë zyrtare nuk ka ende por mediat shpesh tendencioze edhe në një rast si ky e kanë trajtuar si problem i varfërisë në familje. Disa të tjera edhe stresi në provime. Kjo e fundit përdoret thuajse në çdo rast të tillë.
Në një intervistë ekskluzive për ALPEnews.al, sociologia Entela Binjaku flet për ngjarjen e rëndë, duke dhënë mesazhe për të rinjtë të ndodhur në situata të vështira që vlejnë shumë.
Intervista e plotë:
Sa të vërteta mund të jenë këto shkaqe e nëse jo përse mendoni se përdoren shpesh si motiv?
Me ngushëllimet për familjen e lënduar nga humbja tragjike e së bijës, po përpiqem të hamendësoj lidhur me motivet që ka trajtuar media. Hamendësoj sepse nga larg është vështirë të gjesh një shpjegim të saktë të asaj që mund të ketë shërbyer si shkak për një pasojë të tillë. “Varfëria dhe stresi i provimeve” mund të kenë qenë faktorë që e kanë nxitur pakënaqësinë e së ndjerës nga jeta. Kjo nuk nëkupton se cdo i ri apo e re e varfër apo që përjeton ankthin nga provimet mund të mbërrijë të ndërmarrë një akt të tillë. Ndoshta shkaqet janë më të thella dhe këto arsye janë vetëm ato që njihen.
Mund të sjell në vëmendje një nga klasikët e mëdhenj të mendimit sociologjik francezin Emil Dyrheim. Një nga studimet më të famshme të tij është “Vetëvrasja” (1897), ku sociologu francez, tregoi, se këto ishin në fakt mbi të gjitha shoqërore.
Për Dyrheimin, shpejtësia me të cilën shoqëria zhvillohet e ka bërë të pamundur të përpunojë edhe rregullat e përshtatshme për situatën e re shoqërore. Krijohet në këtë mënyrë një gjendje anomie, që vjen nga greqishtja a-nomos, (“mungesë normash”), në të cilën kontrolli i shoqërisë mbi individin vjen duke u dobësuar. Individët, duke mos gjetur më pika referimi brenda shtresës shoqërore, mund të shtyhen drejt veprimeve vetëshkatërruese. Vetëvrasja e anomisë është një dukuri tipike e shoqërive moderne, ku zhvillimi ekonomik e shtyn individin të besojë se çdo mjet është i arritshëm. Nga vështirësitë reale për të realizuar dëshirat, i lind një ndjenjë pakënaqësie, e cila mund të çojë individë të caktuar në vetëvrasje.
Ai doli kundër shpjegimeve të mëparshme psikologjike, të cilat i gjenin shkaqet e rritjes së vetëvrasjeve në akte tërësisht individuale.
Mendoni se është e “qëllimshme” që shumë prje mediave e analistëve e trajtojnë vetvrasjen e Adelës si shkak të varfërisë duke e lidhur rrjedhimisht me politikën e vendit?
Medias nuk do ti ikte ky rast fatkeq për të gjetur tek politika burimin e tragjedisë .
Vetëvrasja si dukuri, është e pranishme dhe në rritje në shoqëritë tona. Ajo godet të rinj e të vjetër, të pasur e të varfër, të dobët e të fortë, të zakonshëm e me pushtet. Sërish duke u rikthyer tek Dyrheimi ai thoshte: “Një akt që në dukje ka të bëjë me vullnetin e individit, është i lidhur ngushtësisht me realitetin shoqëror”. Për të kaluar tek pyetja juaj, realiteti ynë shoqëror është i lidhur ngushtë me realitetin politik. Sigurisht një lidhje mund të gjendet tek ky ndikim, sepse jemi në kushtet kur politika shqiptare e këtyre 30 viteve të fundit ka depërtuar në cdo strukturë. Në shumicën e rasteve ajo i ka krijuar vend më të fortit, ka ngritur në kult lidhjet nepotike dhe militantizmin, duke bërë qe për meritokracionë nuk ka pasur më vend. Politika është përgjegjëse kur beteja kundër varfërisë është vetëm imagjinare dhe të rinjtë shohin se asgjë nuk ndryshon. Politika është përgjegjëse nëse më të varfërit nuk prekin politikat sociale, kur për punësimin e të rinjve nuk ka politika mbështetëse apo janë nxitëse dhe motivuese, sigurisht në radhët e tyre ka edhe nga ata që nuk u bëjnë ballë vështirësive në të cilat gjenden dhe përetj cdo përpjekjeje ndjehen të pashpresë.
Një nga detajet e renda dhe të rralla ishte fakti se e reja kishte lidhur sytë në momentin e hedhjes nga kati i 11. Cilat mendoni se kanë qenë shkaqet për këtë veprim?
Pas këtij veprimi mendoj se qëndron frika e vajzës në një cast të tillë. Për rastin e Adelës nuk e dimë nëse ka qenë një vetëvrasje melankolike, pra e realizuar në gjendje depresive, nëse ka qenë obsesive (ankthi) prae lidhur me idenë fikse të vdekjes, apo ka qenë impulsive , pra e kryer në çastin e ndonjë drame që ajo ka përjetuar. Por për të dhënë natyrën dhe shkaqet e vërteta të vetëvrasjeve, nuk mjafton vetëm grupimi i karaktereve psikologjike.
Sërish duke ju rikthyer studimit të sipërpërmendur vetëvrasja varion në përpjesëtim të zhdrejtë me gjendjen psikopatike. Pra, kjo e fundit nuk është shkak i vetëvrasjeve. Natyra e vetëvrasjeve varet në thelb nga kushtet shoqërore. Vetëvrasja varion në përpjesëtim të zhdrejtë me shkallën e integrimit të individit në atë grupim shoqëror ku bën pjesë. Vetëvrasja egoiste, është shmangia e individit nga grupimi shoqëror, izolimi dhe si rënia në gjendje depresive. Nuk e dimë nëse ka qenë i tillë rasti i vajzës së ndjerë, por nëse ndodhej në depresion, ndoshta disa sinjale, ajo i ka dhënë.
Mendoni se nëse Adela do kishte folur me dikë për ate çka e shqetësonte ndoshta ngjarja e rende nuk do kishte ndodhur?
Mendoj se ndoshta e ndjera nuk ka pasur të tjerë pranë, ose ndoshta marrëdhënia me të tjerët nuk ka arritur të krijojë tek ajo uljen e ankthit, rritjen e vlerësimit dhe vetëvlersimit, ndoshta nuk a ka qenë e pranuar etj. Nëse do të kishte folur dhe do të kishte gjetur mbështetje, nëse nuk do të ishte ndjerë e përjashtuar, nëse do të kishte marrë ndonjë mesazh motivues për jetën, me siguri nuk do të kishte arritur në këtë akt të pakthyeshëm fatal. Kjo sepse për secilin prej nesh, marrëdhënia me të tjerë është me rëndësi të madhe.
Marrëdhëniet më të tjerët janë të rëndësishme për funksionet mbështetëse psikologjike dhe kulturore: për krijimin i identitetit për veten përmes krahasimit me të tjerët, për uljen e frikës dhe të ankthit, vlerësimi dhe vetëvlersiminë, për pranimi reciprok etj.
Kur njeriu i ndjehet i crrënjosur nga mjedisi social e kulturor përreth, ndjen mungesën e mbështetjes dhe të identifikimit me grupin, përjeton ndjesinë e mungesës së përkatësisë, e përjeton nevojën për të tjerët, deri në dramë.
Sa mendoni se ndikon mentaliteti i familjes dhe shoqërisë në jetën e një të reje e të riu?
Edhe pse në shoqëritë në urbanizimi presioni i shoqërisë mbi individin nis e zbehet, në shoqërinë tonë mentaliteti i familjes është mjaft i fortë mbi individin. Një i ri apo një e re ndodhet nga njëra anë në përpjekje për identitet të pavarur dhe nga ana tjetër është mjaft i lidhur me pjestarët e tjerë të familjes. Shumë prej bindjeve të tij krijohen brenda famijes. Por kur realiteti që jetojnë jashtë saj eshtë më tërheqës, ai nis e ndjehet i dyzuar mes dëshirës dhe aspiratës për mëetësim dhe pavarësim, dhe mendësisë që shpesh është pjesë e një botëkuptimi tjetër. Në raste të tilla mund të ndodhë që një i ri apo i re ndjehet i vetmuar.
Në vitet 80 studiuesit Rubenstein dhe Shaver dolën në përfundimet se vetmia lidhet edhe më procesin e rritjes, me mënyrën sesi i ndërtojmë raportet tona afektive me prindërit. Ndaj dhe në cdo histori jete të ndërprerë tragjitkisht është me vend të pyesim veten, para se të japim argumente, sa prej nesh është në dijeni si ka qenë jetë e secilës jete të shuar, si ka qenë fëmijëria e tyre, sa të vetmuar paskan qenë, sa të pambështetur janë ndjerë, sa pak i paskeshim kuptuar!
E megjithatë ajo vazhdon të trajtohet edhe sot dhe një lidhje mes vetmisë dhe vetëvrasjes studiuesit ja kanë gjetur.
Në cdo shoqëri ka disa grupe që ndodhen në situata sociale të rriskut, ku bëjnë pjesë edhe të varfërit etj që janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj vetmisë.
Efektet e vetmisë janë të ndryshme nga njëri tek tjetri. Studiuesit që e lidhin vetminë me sasinë e raporteve që ka një individ janë të shumtë, por po aq të shumtë janë edhe ata që e lidhin vetminë me kuptimin që cdo njeri i jep raporteve që kalon me të tjerë, pra është fjala për intensitetin dhe për shkallën e perceptimit të tyre. Me këtë dua të them se edhe nëse ka pasur persona pranë, ndoshta vetmia mund te ketë qenë një tipar i saj.
Një mesazh për të rinjtë që për arsye nga më te ndryshmet, sot po kalojnë dramën e tyre sociale
Ky akt tragjik na risjell në vemëndje problemin e çekuilibrit të shoqërive të urbanizuara. Vetëvrasja mendoj se mund të shmanget vetëm përmes integrimit shoqëror të individit. ndaj dhe për të rinjtë këshilla do të ishte sa më shumë integrim, sa më shumë komunikim, sa më shumë bashkëveprim me të tjerë. Asnjë problem apo vështirësi në jetë nuk mund të prevalojë mbi jetën.
Përgatiti: ALPEnews.al