Detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Tiranë, ku nëna dhe një prej vajzave u gjetën të vetëvrara në banesë, ndërsa vajza tjetër lufton për jetën në spital.
Mësohet se rreth 6 muaj më parë familja Josifi kishte humbur kryefamiljarin, për shkaqe që nuk dihen ende. Ndërsa prej tre muajsh nëna Zhaneta Josifi dhe dy vajzat Anisa e Blerta Josifi kishin shfaqur sjellje të çuditshme që ishin vënë re si nga të afërmit dhe fqinjët.
Policia e kontaktoi nënën dhe vajzat kohë më parë, por ato kishin pohuar se nuk kishin asnjë shqetësim dhe nuk ndiheshin të kërcënuara. Ato u shprehën se qëndrimi për 3 muaj të izoluara në shtëpi, ishte një mënyrë jetese që ato e kishin zgjedhur vetë.
Nëna 56-vjeçare dhe dy vajzat 30 dhe 34-vjeçe, ishin pjesë e sektit Dëshmitarët e Jehovait. Ky nuk është rasti i parë në vendin tonë që pjesëtarë të Jehovait i japin fund jetës, duke besuar te ringjallja.
Kjo gjë besohet të ketë ndodhur edhe në familjen Josifi. Njëra prej vajzave, Anisa Josifi dyshohet të ketë vdekur rreth 1 javë më parë. Por nëna dhe vajza tjetër e kishin vendosur trupin në shtrat, duke pritur se do të ringjallej.
Ishte daja i vajzave ai që njoftoi policinë dhe kërkoi ndihmë, pasi javën e fundit, motra e tij nuk përgjigjej në telefon.
Fillimisht në banesë kanë hyrë nga dritarja punonjësit e zjarrfikëses, pasi dera e apartamentit ka qenë e mbyllur nga brenda. Ata kanë zbuluar skenën e rëndë. Njëra prej vajzave që besohet se kishte humbur jetën disa ditë më parë por edhe nëna që u gjet e pajetë, kishin shenja të mosushqyerjes.
Vajza tjetër, Blerta u gjet me shenja jete. Ajo është dërguar në gjendje të rëndë në spital. Dyshohet se për t’i dhënë fund jetës, nëna dhe vajzat kanë përdorur lëndë helmuese. Por ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë më tepër dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.
Kujtojmë se brenda banesës, policia ka gjetur disa letra me shënime fetare.


