Për herë të parë në qytetin muze 2400-vjeçar të Beratit janë organizuar mbrëmjen e djeshme “Karnavalet e Beratit”. Kjo festë, e para e llojit të saj në Berat, erdhi jo vetëm si një risi për qytetin por si një kundërshti për situatën e pandemisë botërore nga Covid-19.
Organizimi i këtij eventi historik për qytetin e UNESCO-s u mundësua nga bashkia e Beratit dhe Agjencia Rajonale e Zhvillimit, falë donatorit kryesor gjerman GIZ/ProSeed.
Me mesazhin e largësisë prej 2 metër nga njëri-tjetri si e vetmja masë parandaluese ndaj virusit dhe me shigjetën anti-Covid në duar, 50 të rinj të maskuar e të veshur me kostume nga më të ndryshmet, kanë përshkruar për rreth 2-orë kalanë e qytetit, duke argëtuar me veshjet e tyre dhe muzikën banorët e qytetit të Beratit.
Të rinjtë, nëpërmjet roleve të karnavaleve, demonstruan mbajtjen e protokolleve të domosdoshme anti-Covid për ruajtjen e shëndetit, përshirë edhe atë mendor.
Përfaqësuesja e Agjencisë Rajonale të Zhvillimit në Berat, Qamile Gishti ka deklaruar se veçantia e këtyre karnavaleve të sivjetshme është një sfidë kundër situatës botërore pandemike Covid-19. Ajo është se kjo festë u realizua si finalizimi i projektit “Rivitalizimi i jetës dhe i punës në qarkun e Beratit”, nëpërmjet përfshirjes së të rinjve në aktivitete të fushës sociale dhe prodhuese.
Projekti i karnavaleve kaloi në disa faza që nga intervistat në terren, konkursi midis të rinjve, konkursi i dizenjimit, konkursi i stilistëve e deri në fazën e finalizimit mbrëmjen e djeshme me festimin e karnavaleve.
Dy stilistwt e “Karnavaleve të Beratit” Kozeta Halili dhe Emanuela Hasani kanë folur rreth stilimit të kostumeve të karnavaleve dhe shigjetës së goditjes së Covid-19. Stilistet kanë folur edhe për shumëngjyrshmërinë ngjyrave në veshjet e përzgjedhura për karnavalet, si një argëtim që largon vëmendjen nga situata e rënduar që po kalon vendi ynë dhe gjithë bota.
Për fëmijët pjesëmarrës në këto karnavale por edhe për spektatorët, ky event ka qenë nga më të bukurit e organizuar ndonjëherë nga bashkia e qytetit që ka deklaruar se karnavalet do të mbeten tashmë një traditë e përvitshme për qytetin.








